EXPRESS

Balerinat në vallëzim në pikturat e Sabri Behramajt

Sabri Behramaj çdo ditë futet brenda objektit rreth 2 mijë metra katrorë prej nga nxjerrë krijime të reja artistike. Në çdo mëngjes ai iu kthehet punëve të lëna përgjysmë.

Mjeshtëria e tij prej skulptori vërehet qysh në punimin që ka lënë në gjysmë dhe në punimet e tjera ku janë të vendosura figurat e heronjve. Ai në argjilë është duke i dhënë formë figurës së një heroi që portretizon dëshmorët e fshatit Ceceli të Vushtrrisë. Behramaj është duke u kushtuar vëmendje të veçantë detajeve për ta përcjellë imazhin e një malësori.

“Për momentin jam duke e punuar një shtatore për disa burra të rënë në Luftën e Dytë Botërore, që kanë qenë nga fshati Ceceli. Banorët e këtij fshati e kanë porositur këtë vepër dhe duan t’ua dedikojnë atyre burrave që kanë rënë gjatë asaj kohe. Ky është një malësor i cili mban në dorë një flamur si bajraktar dhe është me veshje kombëtare”, ka thënë Behramaj.

Skulpturat e tij janë të punuara nga materiale të ndryshme, ndërsa për Behramajn më së vështiri është të punohet me mermer. Rrugëtimi i tij, ashtu siç vërehet edhe në atelie, shtrihet mes dy botëve artistike.

“Unë profesionin tim e kam gjetur që nga klasa e parë dhe kam vazhduar me piktura dhe skulptura. Pas shkollimit fillor e kam zgjedhur pikturën në shkollën e mesme të Arteve në Pejë dhe pastaj kam zgjedhur skulpturën në fakultet. Në 2006 kam magjistruar në fushën e skulpturës dhe më pas kam vazhduar me porosi të busteve dhe shtatoreve të heronjve”, ka treguar tutje ai.

Pandemia e cila nxiti artistët në forma të ndryshme pati ndikim edhe te piktori nga Mitrovica. Ai gjatë kësaj kohe ngjizi në pëlhurë balerinat shumëngjyrëshe. Instrumentet e punuara afër tyre përçojnë ritmet e vallëzimit të tyre dinamik.

“Në pjesën e pikturave jam më i veçantë në pjesën e stilit dhe po ashtu edhe tek disa skulptura njihem përmes tyre”, ka theksuar piktori nga Mitrovica.

Lidhja e artit të tij me pikturën dhe skulpturën i ka sjellë një ide të re artistike Behramajt. Derisa ai do të vazhdojë të eksplorojë forma të ndryshme të balerinave në lëvizje, më pas ato t’i zhvendosë në skulpturë.