EXPRESS

“Autostrada Biennale” me program për të rinjtë

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në qytetin buzë Lumbardhit, “Autostrada Biennale” tash e disa vjet po e përmbush misionin e saj për shkëmbim kulturor. Nga ky vit ka zgjeruar misionin me programin e ri, i cili ka për qëllim prodhimin dhe edukimin.

Hapësira e ish-Bazës Ushtarake Gjermane në Prizren do të jetë vendi ku arti do të shërbejë si formë e të mësuarit për të rinjtë.

Në kuadër të këtij programi, “Autostrada Biennale” ka angazhuar ekspertë të fushës që të inkurajojë brezin e ri që të bëhet pjesë e procesit të ndërtimit dhe instalimit të veprave artistike dhe të ndërtojnë një qasje kritike ndaj artit.

“Autostrada Biennale” i vuri themelet shtatë vjet më parë, e nxitur nga nevoja për më shumë shkëmbin kulturor në rajon dhe hapje ndaj botës. Në çdo edicion, përmes veprave të ndryshme artistike, ky organizim sjell një dinamikë në qytetin e bukur të Prizrenit.

Edicioni i sivjetmë do të mbahet nga korriku në shtator dhe do të jetë i shtrirë në tri qytete të Kosovës. Organizatorët premtojnë edhe risi të tjera.

Programi i këtij edicioni është akoma duke u zhvilluar, ndërsa synon të lidhë artistë ndërkombëtarë me ata lokalë.

“Autostrada Biennale” ka filluar në Prizren në vitin 2014, teksa edicionin e parë e ka mbajtur në vitin 2017.

Si pikë lidhëse dhe rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor, edicioni i mbajtur në vitin 2019, në disa pika të qytetit të Prizrenit, kishte ofruar një udhëtim nëpër veprat e artistëve vendorë e të rajonit por edhe nga Italia, Rumania, Belgjika, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.