EXPRESS

Armend Smajli, mes teatrit e filmit

Për gati 7 muaj me radhë, qetësia dhe errësira e pandemisë Covid-19 mbuluan skenën artistike.

Premierat u pezulluan, teatri mbylli perdet, e shfaqjet u prezantuan në platforma online.

Nga përditshmëria dinamike me punë e angazhime, përnjëherë rutina e aktorëve ndryshoi krejtësisht.

Për Armend Smajlin, mungesa e provave të vazhdueshme dhe izolimi i papritur kanë ndikuar edhe në humbjen e ritmit në teatër.

Por javën që shkoi, ai iu kthye skenës, kur në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Rikthimi i Karl Majit”, premierë kjo që ishte planifikuar të ndodhte në Berlin.

Për shkak të pandemisë dhe pezullimit të ngjarjeve artistike, ndryshoi edhe rrugëtimi i filmit “Cirku Fluturues”, i cili pavarësisht mungesës së premierave dhe publikut, u shfaq dhe u shpërblye në shumë festivale të mbajtura online.

Në këtë film, Smajli portretizon një aktor të ri prishtinas, që e rrezikon edhe jetën për të marrë pjesë në një festival teatror në Shqipëri. “Cirku fluturues” u shfaq online të martën në kuadër të “PriFilmFest”.

Armend Smajli është aktor rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe viteve të fundit u bë pjesë e filmave që shënuan suksese ndërkombëtare, përfshirë “Babain” me regji të Visar Morinës.