Në vitin kur janë tejkaluar barrierat e veprimtarisë që ishin ngritur si pasojë e pandemisë, nga korriku, objekti i TKK-së u mbyll për renovim. Adaptimi dhe funksionalizimi si sallë teatrale i Amfiteatrit të Pallatit të Sporteve u pa si shtëpi e re për skenën teatrale më të rëndësishme në vend. Pjesa e parë e vitit 2022 ka qenë e mangët për nga prodhimet teatrore. Megjithatë, javët e fundit të vitit të kaluar u përmbyllën me tri premiera
Salla ka qenë plot përgjatë fundit të vitit që sapo iku. Teatri Kombëtar i Kosovës përmbylli vitin 2022 me tri shfaqje premierë brenda dy muajve të fundit përderisa është paralajmëruar program i pasur me premiera vendore, bashkëprodhime ndërkombëtare e aktivitete të tjera.
Në vitin kur janë tejkaluar barrierat e veprimtarisë që ishin ngritur si pasojë e pandemisë, nga korriku, objekti i TKK-së u mbyll për renovim. Adaptimi dhe funksionalizimi si sallë teatrale i Amfiteatrit të Pallatit të Sporteve u pa si shtëpi e re për skenën teatrale më të rëndësishme në vend.
Pjesa e parë e vitit 2022 ka qenë e mangët për nga prodhimet teatrale. Megjithatë, javët e fundit të vitit të kaluar u përmbyllën me tri premiera. Përgjatë më pak se një muaji, nga fundi i nëntorit deri në mesin e dhjetorit, u dhanë premierat e shfaqjeve: “Club Albania”, me regji të Fatos Berishës, “Molly”, me regji të Sibel Abdiut, dhe “Gratë ose mëkatet e tyre në patriarkat” e Nastazija Domaradzka.
Në nëntor u organizua “Festivali i Teatrit Shqiptar – Moisiu” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë. Në edicionin e parë të Festivalit të mbajtur në Shkup ishin paraqitur produksionet teatrore nga qytetet shqiptare. Marrëveshja për bashkëpunimin ishte arritur në shtator me qëllim të rritjes së bashkëpunimit mes teatrove shqiptare.
Në muajin maj u dha lajmi se TKK-ja i është bashkuar familjes së madhe të Konventës së Teatrove të Evropës si hapje e rrugëve me skenën ndërkombëtare. Derisa ka renditur sukseset e këtij viti, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se një nga to është edhe interesimi i madh për shfaqjet teatrale, si dhe bashkëpunimi me teatrot publike në vend e më gjerë. Për KOHËN ka treguar se institucioni që drejton vjen me premierë qysh në muajin e parë të këtij viti.
“Momentalisht jemi në proces të realizimit të bashkëprodhimit mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Gjilanit dhe të Prizrenit, që do ta ketë premierën me 23 janar e që është shfaqja ‘Fausti’ e Fadil Hysajt”, ka thënë Sheremeti.
Me sfidat e Teatrit, të cilat i ka vlerësuar universale, ka thënë se pjesa e parë e vitit ka nisur me katër produksione dhe dy premiera në fillimvit: në mars që “Muslimani” me tekst dhe regji të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” e Heiner Muller me regji të Alban Beqiraj në muajin prill. Përpos mungesës së prodhimit, sfidë tjetër ka vlerësuar edhe lëvizjen e audiencës për shkak të pandemisë.
Edhe pse mbyllja e objektit të Teatrit Kombëtar për renovim ngjalli polemika, një pjesë e komunitetit artistik e mirëpriti edhe zhvendosjen në hapësirën që tashmë njihet si Amfiteatri i Teatrit të Kosovës, e vlerësoi si një hapësirë kulturore më shumë për kulturën, përkatësisht në shfrytëzim të teatrit.
“Ka qenë sfiduese, por kemi arritur që për një afat rekord ta adaptojmë dhe ta kthejmë këtë hapësirë në skenë teatrore, e cila jo vetëm që na ka bërë me shtëpi të re, por ka krijuar një skenë më shumë në Prishtinë, me skenën që shpresojmë të jetë çdoherë skenë teatri”, ka thënë Sheremeti, i cili në këtë pozitë është zgjedhur në shkurt vitit të kaluar. Sipas tij, nga Ministria e Kulturës u është premtuar se trupa e Teatrit do të kthehet në hapësirën e saj në vitin 2024. Po këtë vit, festivali “Moisiu” mban edicionin e tij në Prishtinë gjatë muajit nëntor, për çka Sheremeti shpreson që objekti i TKK-së të rikthehet në funksion të paktën për të shënuar këtë ngjarje.
Institucioni i Teatrit Kombëtar prej qershorit të vitit 2019 funksionon me zëvendësues të udhëheqësit artistik. Sheremeti ka ritheksuar se mezi pret të përmbushet kjo pozitë dhe se për të do të ishte më e lehtë të funksionojë me dikë në partneritet dhe vizion të përbashkët. Derisa ka folur në përgjithësi për teatrin, ka vlerësuar se teatri ka qenë dhe vazhdon të jetë arti më i vizituar në vend.
“Ndoshta kinemaja sot që është shumë komerciale, mund të jetë para nesh, por jemi arti më i kërkuar, më i etabluar e më i shitur në Kosovë dhe kjo është falë një pune të palodhshme, sakrifice dhe një dedikimi e dashurie të madhe për teatrin që e ka komuniteti teatror në Kosovë”.
Deri në qershor, bashkë me shfaqjet mysafire ishin realizuar nga 20 deri 25 repriza për çdo muaj, ndërsa nga 28 nëntor e këndej kur TKK-ja kishte funksionuar në Amfiteatër, siç Sheremeti ka njoftuar, janë zhvilluar mbi 100 repriza. Ka njoftuar se në përgjithësi kanë qenë mbi 150 aktivitete të ndjekura nga numër i madh i të pranishmëve me interesim më të madh sesa numri i paraparë i biletave.
Shfaqje të ndryshme gjatë këtij viti kanë rrugëtuar nëpër qytete të Kosovës e jashtë vendit, si “Zgjimi i Pranverës”, me regji të Zana Hoxhës, në Slloveni. “Në përgjithësi, teatri në Kosovë ka reputacion në skenën evropiane si teatër i angazhuar dhe kjo ka ndodhur me vite. Kjo e bën që ne gjithmonë ta kemi audiencën e rifreskuar, është teatër që flet, ashtu siç është misioni i teatrit. Bashkëpunëtorë tanë të huaj që i kemi pasur dhe do t’i kemi janë të mahnitur me komunitetin teatror janë të mahnitur me energjinë e mirë dhe angazhimin e audiencës”, është shprehur Sheremeti më tej.
Programi gjatë këtij viti pritet të jetë i pasur me premiera vendore, bashkëprodhime ndërkombëtare e aktivitete të tjera. Me sukses më të madh synon vitin TKK-ja, që qysh në janar nis me premierën e “Faustit”. Më tej do të jetë pjesë e një bashkëprodhimi evropian me Italinë, Gjermaninë, Sllovakinë dhe Maltën. Premiera e këtij produksioni pritet të jetë në fillim të muajit tetor në Opole të Polonisë. Gjithashtu do të realizohet një shfaqje bashkëprodhim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Shqiptar në Shkup në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes tri institucioneve dhe për festivalin “Moisiu”, si frymë e re bashkëpunimi. Një program edukimi do të dizajnohet që i shërben edukimit, derisa Sheremeti ka paralajmëruar se kanë nisur marrëveshjet me festivale evropiane dhe angazhime të tjera që kontribuojnë në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës përgjatë një viti.