Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

71-vjeçarja thotë se dashuria është çelës lumturie

71-vjeçarja Atifete Karakashi thotë se është e lumtur me gjithë rrugëtimin e saj jetësor. Tashmë si pensioniste, ajo po vazhdon të kalojë kohën me fëmijët dhe nipat e mbesat e saj.

“Shumë dashuri kam marrë, shumë e lumtur kam qenë dhe shumë dashuri kam dhënë”, thotë ajo kur pyetet se si i ka shkuar jeta, teksa shton “...Vetëm dashuria është me rëndësi”.

“Jam martuar shumë e re por edhe si e martuar shumë kemi dalë, kemi pasur shoqëri të madhe. Kemi qenë shumë të thjeshta. Një fustan në vit e ke blerë, e ke ruajtur dhe ku ke shkuar je duk bukur. Tash (thonë) e kam vesh një herë si ta veshi të dytën herë”, shprehet Karakashi për dallimet mes gjeneratave.

Pikërisht ai që i mungon më së shumti në jetë është bashkëshorti i ndjerë.

“Me bashkëshortin jemi njoftua në shkollë të mesme. Shumë kam qenë e dashuruar, tërë kohën kemi qenë bashkë si me pas qenë binjak”, rrëfen ajo.

Ka parë disa vende të botës, mirëpo peng jetësor thotë ta ketë që s’ka mundur të bëhet autostopere me burrin e saj.

“Mendonim që krejt botën mundemi me çu përreth si të rinj. Atëherë ka qenë në modë që shkonin autostoper, ëndërr kishim me shkua edhe ne. Bota ka qenë shumë e qetë atëherë”, tregon 71 vjeçarja.

Krahas vendeve ballkanike, Gjermania, Holanda, Franca, Venediku, Rusia janë disa nga vendet që ka parë. Mirëpo në Kapadojka të Turqisë e ka një dëshirë të parealizuar ende.

“Kanë qenë shumë interesant ballonat kur kemi shkuar para mëngjesit. Ndjenjë e papërshkrueshme, por nuk kemi mund të hypim”, tregon ajo. “Vëllai më ka premtua që ka me më dërgua edhe një herë. Ata qeshnin, nëse mbetesh aty çka me ba. Thashë kurgjo mbetesh në ballon, u kry jeta, edhe qata me plotësu, ka qenë shumë interesant”.

Si vajzë nga Mitrovica, e cila më vonë është zhvendosur në Prishtinë, ajo kujton qytetin e vjetër të minatorëve.

“Në Mitrovicë ka qenë tre parqe shumë të mëdhenj, tre lumenj, ka pasur ‘sallënxhaka’, u kënaqnim në park. Mitrovica ka qenë vendi më i bukur atëherë, tash kur shoh nuk e njoh”, rrëfen ajo për qytetin e lindjes.

Duke qenë ish-punëtore e Bankës Popullore, ajo beson se pensionistët nuk trajtohen denjësisht.

“Kërkesa si pensioniste së pari me na rrit pensionet që me jetua pak më mirë, e dyta me pas aktivitete të mira”, teksa thotë se performanca “1770” organizuar nga Festivali “Hapudemia” ka qenë shumë i dobishëm për to.

Artikuj të ngjashëm