EXPRESS

“Nexhmije Pagarusha” me opusin e pavdekshëm të ikonës

Më shumë se këngë janë thesar i krijimtarisë muzikore e trashëgimi për breza të tërë të muzikës. Nexhmije Pagarusha qe këngëtarja e plejadës së artistëve që shkruan historinë. Të pavdekshme janë këngët të cilave ua kishte dhënë zërin e saj magjepsës. Vargjet do t’i ilustronte me këndimin unik që koha nuk e sfidon aspak. Skena muzikore e trevave shqiptare është e pandarë prej saj, e këtë rrëfim muzikor e ndërton tradicionalisht edhe një prej festivaleve në vend – “Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj”.

Motoja “T’knoft zemra” e edicionit të katërt ka qenë përballë publikut. E nuk ka shkuar shumë dhe në koncertin e parë kanë kënduar tok zemrat e solistëve e publikut në këngën e Pagarushës që përbashkon.

Këngët e programit kanë qenë si himne të këngës shqipe. Veçmas “Baresha” që në shumë ngjarje në vend e jashtë jehon si identitet muzikor shqiptar. Me të është hapur koncerti nën interpretimin e sopranos Kaltrina Miftari. Siç ka ngjarë edhe në edicionin e kaluar të festivalit që tradicionalisht njërën mbrëmje muzikore ia dedikon opusit të këngëtares. Vetë koncerti emërtohet sipas saj.

Sopranoja Miftari me timbrin e saj të butë ka sjellë edhe këngët “Kur më del në derë”, “Për mu paska ken’ kismet” e “Kosovarja e bukur”. Secila prej tyre ngjall emocione. Publiku ka kënduar shpesh njëzëri e duartrokitjet i janë bashkuar melodive.

“Kjo është hera e dytë që marr pjesë në këtë festival. Eksperiencë shumë e veçantë. Këngët i ka zgjedhur festivali, por janë të gjitha shumë të bukura dhe shumë të dashura për të gjithë ne. Aranzhimi është shumë interesant dhe më vjen mirë që publiku po e pëlqen dhe po e pranon. Pak më ndryshe sesa jemi mësuar t’i dëgjojmë këto këngë”.

“Keli Bend” në përbërje me Genti Shahinin në piano, Emilioano Dhimon në bateri, Roni Gjurën në bas, Xhino Dajën në trumbetë, Ilir Vorpsin në tromb dhe Brikel Gugën në tenor-saksofon i kanë përcjellë solistët me muzikë me ngjyra jazzi.  Muzika është aranzhuar nga Guga.

Mahnitëse ka qenë mexosopranoja e shquar e skenave ndërkombëtare, Farrah El Dibany. Ka kënduar në shqip për herë të parë të hënën mbrëma duke interpretuar këngët ikonike të Pagarushës - “Vet ke mbet”, “E dehun jam” dhe “E kujtoj at’ takim“.

Është shprehur e emocionuar me interpretimin e këngëve në një gjuhë të cilën nuk e ka kënduar asnjëherë. Ka thënë se ka qenë mundësi njohje me një kulturë të cilën e ka pëlqyer tej mase.

“Isha shumë e emocionuar të interpretoj në një gjuhë të cilën nuk e kam kënduar asnjëherë, këngën shqipe. Nuk e di aspak dhe më vjen mirë që e kisha mundësinë të mësoj për Nexhmije Pagarushën nëpërmjet këngëve të saj. Nuk ishte shumë e vështirë ta mësoja gjuhën sepse me të vërtetë u dashurova në këto këngë. Në momentin e parë kur i dëgjova krijova një lidhje me to dhe e ndjeva më të lehtë pranimin e tyre. E bëra më të mirën nga vetja, shpresoj se publiku e ka pëlqyer”.

Sopranoja Adelina Thaçi ka qenë tjetër soliste e mbrëmjes që ka sjellë tekstet e bukura e tërheqëse që kanë tejkaluar breza dhe janë kthyer në këngë simbol dhe të pavdekshme. Me “Dashuro”, “Zani tij më thërret” dhe “Kur një ditë të kthehesh ti” ka ilustruar një pjesë të opusit të cilin Pagarusha ia kushtonte dashurisë.

Nëpërmjet këngës është zbërthyer imazhi i këngëtares që njihet si mbretëreshë e muzikës shqipe.

Baritoni Artur Vera, solist në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, ka sjellë këngët “Dashnor t’u bana”, “As aman trëndafil i çelës”, “Kapidan o djal’ i ri” dhe “Vajza me kaçurrela”. Në duet me sopranon Kaltrina Miftari ka interpretuar këngën “O moj bukuroshe”.

Vera ka thënë se ka qenë privilegj e nder të interpretojë në emrin e Nexhmije Pagarushës.

“Për mua si këngëtar lirik ka qenë pakëz sfiduese sepse janë sjellë në një version tjetër sepse i sjellë në kohë dhe u shton vlerën. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur dhe them se nuk ka shembull më të mirë të bashkimit tonë dhe të njëqenësisë së kulturave sesa muzika, e cila na bashkon të gjithëve shpirtërisht. Ky ishte një shembull që ne të gjithë bashkë bëhemi edhe me ca gjëra që janë më shpirtërore, në thelb është kultura e përbashkët dhe për këtë gjë jam shumë i lumtur”.

Programi i “Rame Lahaj International Opera Festival” tash e katër edicione segmentohet në mbrëmje të veçanta. Njashtu si koncerti “Nexhmije Pagarusha”. Koordinatori i programit artistik, Besmir Vokopola, ka thënë se sivjet risi ka qenë këngëtarja egjiptiane ndërsa ka theksuar edhe zhvendosjen në ambient të hapur si rrjedhojë e mungesës së një salle me kapacitete të mjaftueshme.

“Kjo tashmë është kthyer në një prej traditive të festivalit. Në vitet e kaluara kemi vënë re që audienca ishte tejet e madhe dhe nuk kishim salla për të akomoduar të gjithë dhe sigurisht sivjet risia ishte që përpos artistëve nga Kosova dhe Shqipëria ishte edhe një artiste nga Egjipti që këndon shqip. U munduam ta bëjmë këtë ndërthurjen e kulturave pasi mendojmë se arti është gjuha e shpirtit dhe jo forma e gjuhës ndërkombëtare. Më të lumtur se kaq nuk mund të jemi”.

Gala-mbrëmja “Ramë Lahaj & Friends” me Orkestrën e Operës së Kosovës e përmbyll edicionin e sivjetmë në sheshin “Skënderbeu” më 2 gusht.