EXPRESS

“Jeta dhe bota e artit” të Blerim Luzhës

Monografia “Jeta ime dhe bota e artit” është rrëfimi kronologjik i jetës dhe veprimtarisë së artistit Blerim Luzha. Një lloj ditari që nis me familjen, fëmijërinë, shkollimin e krijimtarinë e tij artistike.

Aty janë edhe rrëfimet më personale si prapaskena të rrugëtimit drejt profesionit e pasionit.

Hapësira e zgjedhur në Galerinë Kombëtare të Kosovës për ta promovuar librin është domethënëse. Luzha kishte punuar aty për afro dy dekada.

Ai ka thënë se me monografinë i është plotësuar tabloja jetësore e krijuese dhe se ky botim mund të jetë inspirim për pasardhësit e tij.

“Gjithmonë kam dashur të lë një trashëgimi familjare, informata apo rrëfime mbi jetën time dhe përjetimet që i kam pasur gjatë kësaj periudhe kohore. Shpresoj që rrëfimi im intrigrant, të gjithë ata që kanë dëshirë për të mësuar mbi ngjarjet e asaj kohe dhe përjetimet e një artisti, i cili përkundër sfidave, kryesisht politike, megjithatë ia doli t'i realizojë disa ëndrra. Shpresoj që rrëfimi im të jetë inspirim për katër nipat dhe tri mbesat e mia”.

Në promovim kanë qenë të pranishëm figura të artit e ato të politikës. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka ndarë medalje artistit pionier.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa e ka vlerësuar kontributin e Luzhës në skenën artistike, ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin format e tilla të dokumentimit dhe nderimit të veprës së figurave të shquara të artit e kulturës.

“Po takohemi në një intermezzo të shumë ekspozita që zhvillohen në Galeri për ta nderuar Blerim Luzhën, një prej personaliteteve të veçanta të botës së artit, që përveç krijimtarisë edhe fushës shumë unike, ka qenë pionier, e ka nisur. Nuk ka pasur shumë të tjerë pas tij, vazhdon të jetë unik dhe shumë i veçantë edhe sot e kësaj dite në artin, krijimtarinë e tij, edhe në kontributin që ka dhënë për institucionet kulturore të artit aplikativ në vendin tonë”.

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, familjare e artistit, ka thënë se hapësira e zgjedhur për përurim përkon edhe me një pjesë të veprës jetësore të artistit Blerim Luzha.

“Blerimi ka qenë një kohë të gjatë punëtor në Galerinë Kombëtare të Kosovës, deri në pensionim dhe ka qenë shumë e natyrshme që këtë përurim, që ndoshta është e ngushtë për të gjithë ju që jeni të ftuar, por një prej arsyeve kryesore ka qenë që përurimi po ndodh në shtëpinë e tij të dytë që e ka pasur afër edhe ku ka jetuar”.

Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, ka thënë se gjurmët e kontributit të Blerim Luzhës janë kudo në Galeri.

“Duke filluar nga materiale të ndryshme arkivore të cilat tregojnë bashkëpunime të ndryshme me rajonin dhe ndërkombëtarët që keni pasur me artistët në atë kohë. Pastaj strukturimin e institucionit në tërësi dhe fillimin e themelimit të koleksionit shtetëror dhe pasurimin e tij, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë profesor”.

Luzha ka diplomuar në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1963, ndërsa ato pasuniversitare në Shkollën Superiore Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris, të cilat i përfundoi katër vjet më pas. Po në Paris kreu specializimin në atelienë e njohur të dizajnit të tekstileve dhe të modës “Opera Dessins”. Ka punuar dy vjet në kombinatin e tekstileve në Gjakovë e më 1970 ka punuar si bashkëpunëtor profesional për krijimtarinë artistike në Bashkësinë Krahinore të Kulturës, ndërsa në vitin 1986 është pranuar në Galerinë Kombëtare si kurator për artet aplikative dhe për koleksionin e institucionit.