Nuk do të kishte ngjarje më të përshtatshme sesa koncerti i përbashkët i Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës për ta shënuar Ditën e Forcës. Nën dirigjimin e skocezit Dario Salvi, formacioni ka sjellë repertorin botëror të veprave solemne. Me to janë gërshetuar edhe kompozimet shqipe. Të hënën mbrëma historia është sjellë nëpërmjet tingujve, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Anëtarët e dy orkestrave dallohen lehtë. Disa kanë qenë me uniforma ushtarake, të tjerë në të zeza. Por në tingull janë bërë një. Loja e tyre mjeshtërore e zhvillimi i pjesëve muzikore kanë bërë të tingëllojnë si trupë e vetme. Programi i larmishëm, shumicën e veprave i ka pasur premierë. Që nga kompozimet solemne, kolonat zanore të filmit e deri tek ariet operistike e kanë pasuruar programin me të cilin është shënuar Dita e Forcës.
Dirigjenti Salvi është shfaqur në uniformë ushtarake skoceze.
Në qershor të këtij viti, Orkestra Frymore e FSK-së kishte interpretuar në Londër, ku koncerti ishte dirigjuar nga Salvi. Për KOHËN ai ka thënë se ishte mrekulluar nga profesionalizmi i anëtarëve të ansamblit.
“Ishte surprizë e madhe për mua. I njoha instrumentistët nga koncerti që kemi pasur gjashtë muaj më parë në Angli kur interpretuam së bashku. Edhe atëherë, edhe tash, isha i befasuar me nivelin profesional të tyre”.
Nëpërmjet tingujve është rrëfyer një ngjarje lirie që nxit ndjenjën e krenarisë e që zgjon dhimbjen e kujtimet për të kaluarën. Duket se mesazhet vijnë nga secila notë dhe kjo është edhe fuqia e artit muzikor. Shumë prej veprave reprezantojnë kulturën skoceze. Programin e ka përzgjedhur dirigjenti Salvi. Ka thënë se pasioni më i madh i tij është muzika e vendit të tij.
“Doja të sillja muzikën tradicionale klasike me një shije të muzikës skoceze. Jam shumë krenar dhe i pasionuar të arkivoj muzikën e vendit tim në një formë. Jemi shumë me fat që jemi një vend i vogël sikurse edhe Kosova, por kemi kulturë të madhe muzikale, të cilën dua ta përcjell në çdo vend që shkoj”.
Në kuadër të “Vitit të Rexho Mulliqit”, të cilin Filharmonia e Kosovës e kishte shpallur në mars të këtij viti, është luajtur “Baresha” ikonike e kompozitorit shqiptar.
Si solist në vepër ka interpretuar klarinetisti Shkumbin Bajraktari. Salvi e ka vlerësuar “Bareshën” si pjesë të mrekullueshme muzikore.
Të pranishëm në koncert kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, të cilët kanë ndarë medalje për dirigjentin. Atij i është dhënë harta e Kosovës.
Uvertura nga baleti “Shotë e Azem Galica” e Nikolla Zoraqit, aranzhuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, ka qenë fillim i fuqishëm, e cila që në tingujt e parë identifikohet si pjesë e krijimtarisë shqipe. Ngjan në homazh solemn.
Koncerti për saksofon dhe orkestër “Four pictures from New York” i italianit Roberto Melinelli ka qenë me tinguj tejet atraktivë të saksofonit të interpretuar nga Dardan Gjinolli, anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së.
Saksofonisti Gjinolli ka thënë se vepra ka qenë premierë në vend e në rajon. Ka thënë se koncerti ka qenë sfidë më vete.
“Ka qenë një koncert shumë i lodhshëm, ku kemi pasur prova intensive dyjavore me Darion. Është dirigjent i mrekullueshëm. Kam pasur nderin të bëj muzikë me të edhe në Londër në muajin qershor, kemi pasur disa koncerte së bashku. Një njeri i mrekullueshëm së pari dhe muzikant shumë i madh”.
Në shëtitjen muzikore nëpër veprat italiane, amerikane, britanike e ato që sjellin rrëfime nga Afrika, janë bashkuar edhe kompozimet shqiptare. Mes tyre, “Baresha” e Rexho Mulliqit e uvertura nga baleti “Shotë e Azem Galica” e Nikolla Zoraqit. Koncerti është përmbyllur me Marshin e FSK-së të kompozuar nga Baki Jashari, Mendi Mengjiqi dhe Valton Beqiri.
Ndihmësdirigjenti i Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla, i cili gjithashtu ka drejtuar Orkestrën, ka thënë se veprat kanë qenë më ndryshe, ngase ka ngjarë me bashkëpunimin me Orkestrën Frymore të FSK-së.
“Kryesisht ishin vepra që i përkasin ushtrisë, marshe, por sigurisht kishte edhe vepra të tjera me një program më ndryshe sesa që jemi mësuar të kemi në kuadër të bashkëpunimit me Orkestrën Frymore të FSK-së. Besoj se i gjithë programi e ka arritur atë çfarë edhe kemi dashur të sjellim para publikut”.
Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës është themeluar njëzet vjet më parë në kuadër të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
E muzika klasike për festat e nëntorit nuk ndalet me kaq. Sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, për Ditën e Flamurit, Filharmonia dhe Opera e Kosovës sjellin koncertin me veprat e kompozitorëve shqiptarë. Koncerti nis në orën 20:00.