Filharmonia e Kosovës ndonëse sjell çdoherë program unik për publikun, kur në repertor futen edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë, koncerti peshon edhe më. “Simfonia kosovare”, që njihet edhe si “Simfonia e Dytë” në krijimtarinë e Rexho Mulliqit, është luajtur për të dytën herë nga institucioni i muzikës klasike. Me të është shënuar 100-vjetori i lindjes së autorit të saj, kompozitorit ikonik të Kosovës.
Vepra që ishte interpretuar për herë të parë në vitin 2013 ka dalë të ketë gabime, gjë që dirigjentit të koncertit, Gregory Charette, i ka dalë punë në kombinimin e punës muzikore dhe redaktimin kritik. Koncerti ka qenë edhe vazhdimësi e eksplorimit muzikor nëpër veprat e finlandezit Jean Sibelius.
Në mars të këtij viti me një koncert madhështor do të nisnin aktivitetet në nderim të veprës së maestro Mulliqit. Aty institucioni më i lartë i muzikës edhe e kishte shpallur “Vit të Rexho Mulliqit” dhe kishte bërë të ditur se gjatë gjithë vitit do t’i kushtoheshin aktivitete.
“Simfonia kosovare” e ka hapur koncertin me dinamizmin e theksuar që buron kryesisht nga frymorët, veçmas kornot, trumbetat dhe tubat. Loja e pianos ka pozicion të rëndësishëm në vepër, aq sa muzikantët vlerësojnë se “Simfonia kosovare” ngjan dhe mund të klasifikohet lehtë si koncert për piano dhe orkestër.
Pianisti Andi Duraku, që ka interpretuar si solist përkrah Orkestrës, ka thënë se vepra e Mulliqit ka kërkesa të mëdha teknike e muzikore.
“Kishte kërkesa të mëdha teknike, muzikale, bashkëbisedimi me Orkestër. Por, ishte kënaqësi duke marrë parasysh se edhe Orkestra ishte ndihmuese. Sa i përket veprës, kur e kam dëgjuar për herë të parë kam qenë i impresionuar. Është shumë e rëndësishme të kemi një vepër të tillë në repertorin shqiptar. Është një kryevepër”.
Dirigjenti amerikan Gregory Charette ka thënë se pos përgatitjeve për paraqitje është dashur të punohej edhe me materialin e veprës “Simfonia Kosovare”.
“Është fantastike kjo vepër muzikore. Ndihem shumë me fat që kam pasur mundësinë të punoja këtë javë në të. Kemi punuar në pika të ndryshme, kemi korrigjuar gabime. Duhej të bënim një version përfundimtar, sepse mendoj se është një vepër që ka lënë gjurmë në muzikë. Është simfoni mjaft e avancuar, ka teksturë interesante, ritëm harmonik”.
Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se pikërisht puna e dirigjentit Charette ka qenë karakteristikë e koncertit të së premtes.
“Me shumë mundime është gjetur partitura, e cila nuk ka qenë mirë e edituar dhe karakteristikë e performancës së sotme ka qenë puna e mrekullueshme që ka bërë dirigjenti amerikan Gregory Charette në redaktimin dhe përmirësimin e shumë lëshimeve teknike që kemi hasur në këtë material që kemi trashëguar nga burime të ndryshme, pasi dihet se origjinalin nuk e kemi pasur në dorë”.
Tejet karakteristike e ka vlerësuar veprën e Rexho Mulliqit koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi.
“Vepra e Rexho Mulliqit është shumë karakteristike nga këndvështrimi im si instrumentist. Nganjëherë më shumë duket si një koncert për piano dhe orkestër sesa si një simfoni. Për atë arsye edhe e kemi vendosur sonte pianon në qendër dhe si solist. Vepra në përgjithësi ka material shumë interesant përbrenda dhe ka një zhvillim që ndoshta nuk kemi dëgjuar prej veprave të tjera të Rexho Mulliqit”.
Tjetër kapitull ka qenë “Simfonia nr. 2” e kompozitorit finlandez Jean Sibelius. Vepra nis si një rrëfim përrallor harmonik.
Dirigjenti Gregory Charette ka thënë se kompozitori Sibelius është prej të preferuarve të tij dhe se veprat e tij janë të vështira për t’u luajtur.
“E adhuroj Sibeliusin, ai është një nga kompozitorët e preferuar për mua. Kam studiuar veprat e tij qëkur kam qenë 18 vjeç dhe është shumë kënaqësi për mua të sjell muzikën e tij këtu. Shpresoj se Orkestra ka qenë e kënaqur pasi është shumë e vështirë të luhet. Ka të bëjë më shumë me shprehjen muzikore, është si pasion për natyrën, për shpirtëroren. Më shumë është objektive. Te Rexho Mulliqi ka shumë zjarr derisa te Sibelius ka shprehje të tjera, është më relaksuese”.
Filharmonia e Kosovës synon që në periudhën kohore prej tre vjetësh të realizojë të gjitha simfonitë e shkruara nga Sibeliusi. Nuk dihet nëse Orkestra do të ketë fatin ta interpretojë ndonjërën prej tyre në sallë të denjë koncertale, megjithatë madhështia dhe mjeshtëria e tyre vihen çdoherë në pah, pavarësisht kushteve e skenës ku interpreton.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.