EXPRESS

Frymëzime klasike në kohë bashkëkohore

Dimensionin kohor e ndërlidh me njerëz, engjëj e herë-herë me një foshnje.

Në secilën prej copëzave të ciklit “Koha” të Donat Krasniqit, ajo që mbizotëron është fryma klasike e krijimtarisë.

“Jam munduar që temën e kohës ta përcjell te publiku jo vetëm në aspektin fizik ose shkencor, por edhe në aspektin shpirtëror, se si ndikon ajo te njerëzit, pasojat e të bukurat që shfaqeshin te secili, e veçanërisht te vetvetja”, tha Krasniqi.

E, në mesin e më shumë se 20 veprave të këtij cikli, ai veçon njërën nga to.

“Kjo është njëra ndër pikturat e mia më të vlerësuara, e cila flet për një gjunjëzim të njeriut. Jemi dëshmitarë që jo vetëm mosha e shtyrë, por edhe rinia nga problemet gjunjëzohet nga dëshpërimet. Është një tematikë që është frymëzuar nga një rreth shoqëror”, tha ai.

Shikuar në retrospektivë, dallon se dashuria e tij ndaj artit pamor i ka rrënjët që në fëmijëri - atëherë kur ai, personazhet e preferuara të cilat i shihte në televizion i nxirrte me laps në letër.

“Gjithçka nisi si shumica e artistëve që nga fëmijëria kur dëshira e madhe për artin vërehej. Isha i rrethuar me ngjyra, lapsa e brusha, të cilat ua kërkoja prindërve që të m’i blinin, për të kopjuar diçka nga skenat e filmave të animuar. Pastaj interesimi për artin avancoi në një moshë 9 ose 10-vjeçare kur fillova kursin e artit, ku nisi një fazë më profesionale. Në klasë, gjatë orës së Artit Figurativ, kur e gjithë klasa vinte tek unë për ndonjë këshillë ose përfundimin e ndonjë vepre që kishte nisur shoku apo shoqja, ndihesha vetvetja, sikur isha kryesori aty”, deklaron Krasniqi.

Veprat e tij tashmë janë në një stad krejt tjetër profesional.

Portretet që krijon, janë pothuajse reale.

“Puna me portrete nisi me disa shtresa të ngjyrave dhe duke shkuar ngjallet ai emocioni i portretit, gjithmonë duke pasur një ndërlidhje mes portretit dhe asaj anës shpirtërore. Unë, zakonisht, në pjesën më të madhe të kohës thërras persona që nuk i njoh për t’ua bërë portretet. Më tërheq diçka, ndonjë mimikë e fytyrës, emocioni që shfaq para syve të mi dhe nuk ngurroj e ftoj për portret”, tha Krasniqi.

Për Donat Krasniqin, kohëzgjatja e pikturave varion sipas frymëzimeve, ndërkaq te secila dominon delikatesa klasike.