EXPRESS

Bashkëpunimi artistik mes nxënëses dhe mësimdhënësit

Thjeshtësia e një muri shkollor është zëvendësuar me kompleksitetin artistik. Dy duar, lule, vija dhe elemente të tjera janë fryt i bashkëpunimit mes nxënëses së klasës së 11-të, Berna Ajdini, dhe profesorit të artit figurativ, Armend Zeqa, në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës.

Kreativiteti i Bernës është dyzuar me mbështetjen e profesorit, duke u bërë kështu i mundur realizimi i idesë së saj.

“Së pari Berna ka ardhur me njëfarë skice të realizuar shumë mirë, që ma ka krijuar bindjen se Berna paska vetëbesim dhe qenka shumë e talentuar. Bashkëpunimi me Bernën ka qenë shumë i mirë, për arsye se ajo është një talente e jashtëzakonshme. Unë me këtë po e lidhi edhe një thënie të Pikasos, që thotë: Çdo fëmijë lind artist, por problemi është se si të mbetet i tillë edhe kur të rritet”, thotë Zeqa.

16-vjeçarja thotë se dëshira e tyre ka qenë që të dalë diçka e bukur, teksa bashkë me profesorin tregojnë edhe mesazhin e muralit.

“Ideja ka qenë që të krijohet një mural i bukur brenda interierit të shkollës, por njëkohësisht me përcjellë një mesazh të mirë, si te nxënësit, si te çdokush që hyn brenda gjimnazit. Ka pasur një mesazh shumë të mirë, afirmitetin, respektin, përkrahjen, kujdesin që ne ia japim edhe si nxënës, por edhe si të rinj”, shprehet Ajdini.

Qëndrimi në shkollë edhe pas përfundimit të orarit për një javë rresht si dhe puna intensive 4-orëshe çdo ditë kanë bërë që ideja të pësojë ndryshime gjatë procesit të punës.

“Projektimi nuk ka qenë i tillë, pjesa e duarve ka qenë si skicë që e kemi marrë nga piktura, ndërsa prapavija ka ndryshuar, dizajni që e kemi krijuar ka ndryshuar normal me bashkimin e ideve të mia dhe profit”, thotë ajo.

Veçantia e këtij murali qëndron në teknikat e përdorura gjatë realizimit.

“Përzierja e ngjyrave ka qenë një sfidë që na është shfaqur neve për shkak që ngjyrat janë komplekse, edhe pjesa e prapavijës nuk ka qenë shumë e vështirë, megjithëse ia kemi dalë”, shton Ajdini.

Bashkëpunimi i frytshëm dhe mbështetja e menaxhmentit të shkollës kanë bërë që edhe muri të ‘flasë’ përmes një vepre arti.