EXPRESS

Ekspozita e Jakup Ferrit me punime të 15 vjetëve

Njëqind punime, të realizuara gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, artisti Jakup Ferri i ka sjellë nga Holanda për t’i ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Vizatimet e Ferrit shpërfaqin situata të ndryshme dhe rrethana në të cilat njerëzit janë tjetërsuar për shkak të rrethit ku jetojnë, raporton KOHA.

Ekspozita personale e Ferrit, që u hap të shtunën, përfshin një seri vizatimesh në formën e mozaikëve të letrës.

Kjo ekspozitë është hapur përkundër vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës, ku ndër të tjerash thuhet se ndalohen veprimtaritë kulturore në mjedise të mbyllura dhe të hapura. Koordinatori i projekteve në GKK, tregon për rregullat që duhet t’i respektojnë vizitorët e ekspozitës.

Kjo është ekspozita e tretë e organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, qysh prej marsit, kur u morën masat e para për parandalimin e koronavirusit.

Ekspozita personale e Jakup Ferrit do të jetë e hapur deri më tridhjetë (30) gusht.