Euro 2024

Trajnerët italianë dominojnë në “Euro 2024” falë shkollimit

Luciano Spalletti

Italia vazhdon traditën në Kampionatin Evropian me trajnerë italianë.

Kësaj radhe janë pesë trajnerë që po udhëheqin përfaqësueset në turneun që po organizohet në Gjermani, shkruan “Associated Press” të shtunën.

Selektori i Italisë, Luciano Spalletti, Vincenzo Montella i Turqisë, Domenico Tedesco i Belgjikës, Marco Rossi i Hungarisë dhe Francesco Calzona i Sllovakisë, janë trajnerët italianë në “Euro 2024”.

Me pesë trajnerë italinë nga 24 skuadra në Gjermani të udhëhequr nga italianët, është thyer rekordi i Holandës që kishte tre trajnerë holandezë nga 16-të skuadra në “Euro 2008”.

Të gjithë përveç Tedescos, janë shkolluar për trajnerë nga Federata italiane.

Shkollimi udhëhiqet nga ish-trjaneri Renzo Ulivieri, që është edhe President i shoqatës së trjanerëve italianë të futbollit.

“Është krenari për gjithë futbollin italian dhe në veçanti për trajnerët tanë”, ka thënë Ulivieri në një intervistë dhënë “AP-së”.

“Mendojmë se trajnerët tanë janë të shkëlqyer për dy arsye. Shkollimi jonë është shumë i mirë dhe trajnerët kanë praktikë shumë të mirë edukative brenda ligave tona, por edhe në ato amatore, ku taktikat luajnë rol shumë të madh”, ka deklaruar Ulivieri.

Cilësia e trajnerëve italianë është i lartë edhe në nivel klubesh. Carlo Ancelotti, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm italianë, e fitoi Ligën e Kampionëve për herën e pestë në fillim të këtij muaji, kur Real Madridi mposhti Dortmundin 2:0 në finale.

Atalanta, nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini, e fitoi Ligën e Evropës duke e mposhtur Bayer Leverkusenin, 3:0.

Vetëm Fiorentina humbi 1:0 nga Olympiacosi në Ligën e Konferencës nën drejtimin e trajnerit Vincenzo Italiano.

“Sekreti i sukseseve të trajnerëve italianë është arti i ndërtimit të më të mirës nga asgjë, edhe në situata të vështira. Një art italo-neapolitan, që është shumë i dobishëm për të qenë trajnerë”, ka shtuar Ulivieri.