Selektori i Anglisë, Gareth Southgate, e ka mbështetjen e plotë të të gjithë lojtarëve të Anglisë sipas qendërmbrojtësit, Marc Guehi.
Anglia po përgatitet për duelin e fazës së 1/8 së finales së “Euro 2024”.
“Tre Luanët” u vërshëllyen pas barazimit pa gola në ndeshjen e fundit të grupit kundër Sllovenisë, ndërsa disa gota të zbrazëta u hodhën në drejtim të selektorit anglez, ndërsa ai i duartrokiti përkrahësit.
Anglia përfundoi e para në grup, kurse të dielën ballafaqohet me Sllovakinë në Gelsenkirchen nga ora 18:00.
Mbrojtësi i Crystal Palaces, Guehi, ka 14 paraqitje me Anglinë, qëkur debutoi në mars të vitit 2022.
“Ai ka qenë fantastik për Anglinë. Statistikat flasin vetë. Të gjithë jemi prapa trajnerit dhe jemi të bashkuar e të fokusuar për ndeshjen tjetër. Të gjithë e vlerësojmë atë. Kam debutuar nën drejtimin e tij dhe ai ka treguar shumë besim në mua. I jam shumë mirënjohës, njësoj si i gjithë ekipi”, ka deklaruar Guehi të enjten, shkruan “BBC”.