Euro 2024

Anglia për të kthyer besimin, Danimarka e Sllovenia për kualifikim

Anglia

Të martën mbrëma vendoset gara në Grupin C të Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”. Prej orës 21:00 në Koeln takohen Anglia e Sllovenia, ndërsa në Munih është ndeshja Danimarkë – Serbi.

Grupi ende është plotësisht i hapur. Anglia ka siguruar kalimin me katër pikë.  Danimarka e Sllovenia i kanë nga dy pikë, ndërsa Serbia është e fundit me vetëm një pikë.

Anglia fitoi 1:0 ndaj Serbisë e më pas barazoi 1:1 Danimarkën. Por nuk ka bindur në asnjërën ndeshje. Anglezët kanë telashe të mëdha në mesin e fushës, ndërsa presioni për selektorin Gareth Southgate sa shkon e rritet.

“Jemi të vetëdijshëm se performanca jonë duhet të përmirësohet. Por sa u takon pikëve dhe golave jemi në një situatë të ngjajshme me Evropianin e kaluar. Dhe jemi komodë për këtë”, ka thënë Southgate.

“Na duhet më shumë disiplinë në pozicionimin tonë dhe më shumë vëmendje gjatë tranzicionit. Po ashtu, duhet të kemi më shumë besim në kualitetet që i kemi”, ka shtuar Southgate.

Anglinë nuk e pret ndeshje e lehtë. Sllovenia luajti 1:1 me Danimarkën dhe u paraqit pozitivisht. Ndaj Serbisë ishte duke udhëhequr deri në minutën e 95-të, kur pësoi gol.

“Ishim të dëshpëruar pas ndeshjes së kaluar, por na duhet optimizmi ndaj njërës prej favoriteve të Evropianit. Ende e kemi fatin tonë në duar. Kjo do të jetë sfida më e madhe për këtë gjeneratë. Por jam i sigurt se nuk do të jetë e fundit”, ka thënë selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek.

Danimarka pas dy barazimeve rresht kërkon fitoren e parë dhe kështu edhe avancimin në një të tetën e finales.

“Ne luajmë për të fituar. E dimë që barazimi mund të jetë i mjaftueshëm, por do  të kërkojmë fitoren. Do të luajmë për fitore. Ndeshjes i qasemi njëjtë si çdo ndeshjeje tjetër. Do të luajmë me angazhim maksimal dhe me mendje për të fituar”, ka thënë selektori danez, Kasper Hjulmand.