Euro 2024

Tri betejat kryesore në ndeshjen Spanjë – Francë

Franca - Spanja

Ndeshja e së martës është më shumë se vetëm një përballje e filozofive të trajnerëve

Me pesë tituj të fituar së bashku, Spanja e Franca takohen të martën në gjysmëfinale në Munih, në përpjekje për të bërë hapin e madh drejt trofeut të radhës në Kampionatin Evropian.

Spanja mund ta fitojë titullin e katërt, që do të ishte rekord, ndërsa Franca i bashkohet Spanjës dhe Gjermanisë me nga tre tituj, nëse e mbyll me sukses kampanjën në “Euro 2024”.

Në hije të Gjermanisë dhe Italisë në pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, Franca e Spanja janë bërë dy përfaqësueset më të suksesshme në turnetë e mëdhenj në dekadat e fundit.

Prej se Franca ka fituar Kupën e Botës 1998, vetëm katër prej 13 finaleve në Kupën e Botës apo Evropianë janë zhvilluar pa njërën prej këtyre dy përfaqësueseve pjesë të tyre.

Spanja ka dy tituj të Evropës dhe një të botës gjatë kësaj kohe, ndërsa Franca ka dy tituj të botës dhe ka fituar Evropianin e vitit 2000.

AFP ka veçuar disa prej betejave kryesore që do ta vendosin gjysmëfinalen Spanjë – Francë.

Sulmi i Francës me mbrojtjen e Spanjës

Me 16 gola, Franca ishte përfaqësuesja më efikase në Kupën e Botës 2022. Por në “Euro 2024” nuk ka shënuar ende vetë nga loja e hapur. Superylli Kylian Mbappe shënoi vetëm një gol nga penalltia, kurse Franca ka përfituar edhe nga dy autogola të lojtarëve kundërshtarë.

Selektori Didier Deschamps i doli në mbrojtje Mbappes, duke theksuar se “ai tashmë ka bërë histori dhe dëshiron të shkruajë edhe më shumë histori”.

Në “Euro 2016”, Antoine Griezmann shënoi gjashtë gola dhe i kishte dy asistime. Por rrallë ka rrezikuar portat kundërshtare në Gjermani.

Nëse Franca synon të shpërthejë në sulm, ndeshja me Spanjën mund të jetë mundësi e mirë. Spanja përballet me “mbrojtje të varfëruar”.

Dani Carvajal dhe Robin le Normand do të mungojnë pasi janë të suspenduar. Pos në ndeshjen ndaj Shqipërisë, kjo dyshe ka startuar në të gjitha ndeshjet. Spanja ka pësuar vetëm një gol kur të dy ishin në fushë.

Jesus Navasi do ta zëvendësojë Carvajalin dhe pritet të përballet me Mbappen.

Deschampsi me De la Fuenten

Ndeshja e së martës është më shumë se vetëm një përballje e filozofive të trajnerëve.

Didier Deschamps, njëri prej vetëm tre njerëzve që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner, ka udhëhequr Francën drejt finales në tri prej katër ngjarjeve të fundit të mëdha.

Deschamps ka opsione të shumta në sulm, por nuk i lejon lojtarët e tij të lëvizin të lirë. Preferon stabilitet në mbrojtje dhe i përmbahet sulmit të strukturuar.

“Unë jam pragmatik dhe realist. Lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë”, tha Deschamps.

Ndonëse ka shënuar vetëm tre gola, Franca nuk ishte asnjëherë në disavantazh në “Euro 2024”.

Ndërkohë Luis de la Fuente e lë të lirë skuadrën e tij. Ka thënë shpesh se inkurajon lojtarët të luajnë futboll edhe nëse bëjnë gabime.

“Mund të dëmtojmë kundërshtarin në mënyra të ndryshme”, ka thënë selektori spanjoll.

Kante me Rodrin

Rodri ka reputacionin që është lojtari më i rëndësishëm i Spanjës. N’Golo Kante ka mbajtur këtë përgjegjësi për shumë vjet te Franca.

Ylli i Manchester Cityt, Rodri, ofron kontroll dhe qetësi në mesin e fushës, duke lejuar Lamine Yamalin dhe Nico Williamsin të vrapojnë në sulm. Rodri, po ashtu, ka zhvilluar aftësinë e shënimit të golave vendimtarë, ku përfshihet edhe një ndaj Gjeorgjisë, pak para fundit të pjesës së parë.

Energjia dhe përkushtimi i Kantes kanë qenë pjesë kryesore e dekadës shembullore të Francës. Ai shfaqet në gjithë fushën duke i ndërprerë aksionet e kundërshtarit ende pa nisur mirë ato.

33-vjeçari u shpall më i miri në dy ndeshjet e para të Francës. Kante ka dëshmuar se ende i takon nivelin ndërkombëtar, pas mungesës prej dy vjetësh në përfaqësuese.

LEXO EDHE: