Nikoqirja e Evropianit, Gjermania, është në rrugën e duhur për fitore të ngushtë në ndeshjen hapëse ndaj Skocisë, sipas një orangutani në kopshtin zoologjik të Dortmundit.
Walter, 35-vjeçar, nuk është i panjohur në parashikimin e rezultateve të ndeshjeve. Është veteran i kampanjave të mëhershme të Kupës së Botës dhe Evropianëve si dhe i garave të klubeve gjermane dhe evropiane.
Reuters shkruan se të enjten u vendosën dy kova në kafazin e tij, njëra me shall të Gjermanisë dhe tjetra me shall të Skocisë.
“Walteri u ndal para kovave. U hodhi një sy të dyjave dhe shkoi te kova gjermane. Kështu që mendoj se do të jetë fitore për ekipin gjerman ndaj Skocisë. Por më pas ai shkoi te kova skoceze. Kështu që edhe Skocia mund të jetë shumë afër”, ka thënë zëdhënësi i kopshtit zoologjik.
Walter u bashkohet listës së kafshëve, ku përfshihet edhe një oktapod dhe një elefant, që kanë parashikuar rezultatet e ndeshjeve ndërkombëtare. Kjo zakonisht është bërë duke zgjedhur një enë me ushqim që përmban njërin prej flamujve.
Më i famshmi ishte oktapodi Paul nga një akuarium në Oberhausen të Gjermanisë. Ai fitoi famë në Kupën e Botës 2010 për aftësinë e çuditshme për të parashikuar rezultatet e ndeshjeve të Gjermanisë. Ai parashikoi saktë për shtatë ndeshje të Gjermanisë.