Italia do të mundohet ta sigurojë vendin në fazën nokaut të Euro 2020 kur të takohet me Zvicrën të mërkurën mbrëma në Romë. Ndeshja që luhet prej orës 21:00 i takon Grupit A të Evropianit të futbollit.
Azurët, që dështuan të kualifikohen në Botërorin 2018, tashmë janë me një këmbë në fazën e dytë, pasi kanë hapur Evropianin në stil, me fitore 3:0 ndaj Turqisë.
Ndeshja hapëse e Evropianit ka dëshmuar që ekipi i Roberto Mancinit ka potencial për të fituar garën, për herë të parë që nga viti 1968.
Edhe te Zvicra kanë menduar se janë në rrugë të mirë për ta fituar ndeshjen e parë në Evropianin e këtij viti. Breel Embolo kaloi në epërsi helvetikët, para se Kieffer Moore të barazonte shifrat papritur për Uellsin.
Ekipi i Vladimir Petkoviqit do ta përcjellë me vëmendje rezultatin e ndeshjes mes Turqisë dhe Uellsit para se të dalë në fushë dhe të tentojë të marrë pikë ndaj Italisë favorite.
Italia luan sërish para tifozëve të saj. Nëse shfaqet konkrete si në ndeshjen e parë, atëherë Italia pritet të jetë shumë e fortë për Zvicrën.
Te Zvicra shpresojnë që ta kenë kaluar atë lëshim ndaj Uellsit. Me pikë eventuale, Zvicra do të jetë në pozitë të mirë për avancim tutje, por çdo gjë do të varet nga ndeshja e fundit ndaj Turqisë.
Te Zvicra shumë presin prej Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Shaqiri, ndonëse asistoi në ndeshjen e parë, nuk shfaqi shumë. Ndërkohë, Xhaka kishte një paraqitje solide.
Shaqiri e njeh shumë mirë selektorin e Italisë, Mancinin. E ka pasur trajner tek Interi.
“Do të jetë një ndeshje e madhe në Romë”, ka thënë Shaqiri. “Është ndaj ish-trajnerit tim, Mancinit, dhe më vjen mirë që do ta shoh atë. Në vitet e fundit Italia ka luajtur futboll shumë të mirë dhe jam i lumtur për Mancinin”, ka shtuar Shaqiri.
Italia ka shfaqur siguri të lartë në mbrojtje dhe nuk ka pranuar gol për kohë të gjatë. Goditjet e Shaqirit mund të jenë ato që i duhen Zvicrës. Natyrisht edhe krosimet e tij për bashkëlojtarët.
“Dua të dëshpëroj Mancinin. Duhet ta thyejmë mbrojtjen e tyre në mënyrë që të shënojmë. Por njëkohësisht duhet të jemi vazhdimisht të kujdesshëm për të mos pranuar. Ne kemi gjasa të mira për të avancuar”, ka theksuar Shaqiri.
Selektori i Zvicrës, Petkoviq, kthehet në Romë në stadiumin olimpik, pas tetë vjetësh.
“Nuk ka shumë sekrete për ndeshjen ndaj Italisë. Për të fituar duhet të jemi trima dhe të jemi në ndeshje për 90 minuta”, ka theksuar Petkoviq.
Selektori i Italisë, Roberto Mancini është shprehur i bindur se po e drejton një prej përfaqësueseve më të mira në Euro 2020.
“Vazhdoj të besoj se Italia është një prej ekipeve më të mira në turne. Pjesa e parë ndaj Turqisë ishte e vështirë për ne. E dimë që duhet ta japim më të mirën ndeshje pas ndeshje, pa marrë asgjë të garantuar”, ka thënë Mancini. Ai ka paralajmëruar ndryshime në formacion.
“Mund të ndryshojmë disa lojtarë, por kjo nuk e ndryshon ekipin tonë. E kemi parë në të kaluarën se stili ynë i futbollit nuk ndryshon kur kemi lojtarë të ndryshëm në fushë. Ne kemi 26 lojtarë dhe të gjithë mund të luajnë në nivel të lartë”, ka theksuar Mancini.
Euro 2020, Grupi A: Italia – Zvicra, e mërkurë (21:00)