Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Stones i bindur se Anglia do ta mposhtë Italinë

John Stones - Anglia

Mbrojtësi i Anglisë, John Stones beson se mund ta mposhtin Italinë në finalen e “Euro 2020” për ta ngritur trofeun e parë të madh pas 55 vjetësh.

Finalja e Evropianit ndërmjet Anglisë dhe Italisë, zhvillohet të dielën prej orës 21:00 në stadiumin “Wembley” në Londër. Anglia për herë të parë ka arritur në finale të Kampionatit Evropian, ndërsa ka mundësinë ta fitojë trofeun e dytë në një turne të madh pas triumfit në Botërorin e vitit 1966.

Qendërmbrojtësi i Manchester Cityt, Stones thotë se Anglia ka rastin ideal për ta bërë ëndrrën realitet. Sipas tij, të paktë ishin ata që kanë besuar se Anglia mund të arrij deri në finale kur nisi turneu para katër javësh.

“Finalja është diçka më shumë se speciale, pasi vetëm kemi mundur të ëndërrojmë për të arritur deri këtu kur filloi turneu. Kemi bërë një punë të mirë deri këtu, dhe tani e kemi rastin për ta bërë ëndrrën realitet”, tha Stones, i cili shpreson të jetë titullar në finale.

“Të dielën, ne do të luftojmë pasi dëshira është e madhe ta fitojmë ndeshjen. Të dy ekipet, kanë merituar të jenë në finale. Italia është solide të mbrojtje dhe ka opsione të shumta në sulm. Do të jetë një finale madhështore”.