Përfaqësuesja e Hungarisë është eliminuar nga “Euro 2020”, por futbollistët e përzgjedhësit Marco Rossi kanë lënë përshtypje të shkëlqyeshme me paraqitjen në këtë turne. Përzgjedhësi Rossi insiston se po synon një vend për Kampionatin Botëror që mbahet vitin e ardhshëm në Katar.
Hungaria tuboi dy pikë në Grupin F që ishte më i forti në Evropian, duke barazuar me Francën dhe Gjermaninë. Në fakt, ekipi i italianit Rossi ishte në prag të kualifikimit në fazën e nokautit, por i mungoi fati në ndeshjen e fundit. Paraqitja ndaj Gjermanisë bëri që tifozët hungarezë të ëndërrojnë avancimin përtej fazës së grupeve, pasi ekipi i tyre kaloi në epërsi pas vetëm njëmbëdhjetë minutave nëpërmjet Adam Szalait dhe me epërsinë e një goli shkoi në pushimin midis pjesëlojëve. Kai Havertz barazoi rezultatin për Gjermaninë në minutën e 66-të, para se Andreas Schafer të rikthente për herë të dytë epërsinë e Hungarisë vetëm dy minuta më vonë. Leon Goretzka siguroi një pikë për Gjermaninë me golin e shënuar në minutën e 84-t dhe theu zemrat e hungarezëve. Në mesin e tyre ishte një italian që nuk mund të flinte pas eliminimit në fazën e grupeve. Këtë e pranoi Rossi në një intervistë të premten për të përditshmen italiane “Gazzetta dello Sport”.
“Natën e kaluar unë fjeta jo më shumë se 15 minuta dhe është e çuditshme”, tha Rossi. “Asnjëherë nuk kam menduar se një barazim me Gjermaninë do të më linte me këtë ndjenjë. E di që patëm paraqitje të mira në Evropian, por prapë më vjen keq që u eliminuam në atë mënyrë”.
Rossi foli edhe për momentin më të mirë të tij në Kampionatit Evropian të kësaj vere dhe kujtoi mbështetjen nga tifozët hungarezë pas ndeshjes hapëse, të cilën Hungaria e humbi me shifrat 3:0 nga Portugalia.
“Kur dolëm nga autobusi pas ndeshjes së parë, njerëzit po na duartrokisnin edhe pse humbëm me rezultatin 3:0, dhe ky është kujtimi im më i mirë në këtë Evropian”, pranoi ai.
Edhe
Kroosi i mërzitur për eliminimin e Gjermanisë
Puna e tij me Hungarinë vlerësohet nga tifozët dhe ekspertët në vend, ndërsa Rossi vuri në dukje kthesën që e ka bërë në ekip gjatë kohës së tij si përzgjedhës.
“Ekipi para se të isha unë trajner humbi nga Andorra, Kazakistani dhe Luksemburgu”, tha Rossi me krenari. “Mbaj mend një lojë në vitin 2019 kundër Kroacisë. Ne e humbëm atë në zhveshtore nga frika. Tamas Kadar e humbi një top, të cilin ia vodhi Luka Modriq dhe kjo na kushtoi me humbje. Unë nuk e kam thirrur Kadarin që nga atëherë, ai tani është në Kinë”.
Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e vlerësoi Rossin pas barazimit 1:1 në Grupin F, por trajneri i Hungarisë nuk do të shkonte aq larg sa të thoshte se ai ishte një koleg i ish-heroit të Juventusit.
“Koleg, jo aq shumë. Le të themi që ne bëjmë të njëjtën punë. Deschamps, megjithatë, është i jashtëzakonshëm”, tha Rossi. “Më bëri përshtypje fakti që pardje Gjermania festoi kur barazoi rezultatin në 1:1 kundër nesh sikur të kishte fituar Evropianin”.
Rossi tha se fama e tij në Itali nuk do të zgjasë për shumë kohë dhe theksoi se ai nuk është aspak i interesuar të kthehet në vendlindje. Ai zbuloi se dëshira e tij është të vazhdojë të punojë te Hungaria dhe të ketë rezultate edhe më të mira në të ardhmen.
“E di që fama është e rrezikshme dhe nuk do të zgjasë shumë, por është e mirë. Nuk më intereson hakmarrja dhe nuk jam i interesuar të kthehem në Itali. Jam i lumtur nëse lë gjurmë në futbollin hungarez”, insistoi Rossi. “Gjyshi im më tregoi për Hungarinë e madhe. Për mua, Hungaria nuk është si Austria apo Zvicra, por mund të them se ky shtet tashmë më ka adoptuar”.
Rossi duhej të adresonte polemikat në lidhje me pozicionin e Hungarisë në betejën kundër homofobisë dhe racizmit.
“Unë besoj se respekti tregohet me fakte, jo me një gjest”, tha ai. “Zgjedhja e federatës ishte të tregonte fjalën ‘RESPEKT’ në fanella, të mos gjunjëzohej, sepse ne e demonstrojmë atë respekt me sjelljen tonë”.
Edhe
Hungaria ka një plan për Xhakën
Tifozët hungarezë brohoritën dhe vërshëllyen kundër kapitenit të Portugalisë, Cristiano Ronaldos në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian. Rossi nuk i fajësoi aspak tifozët, por yllin portugez, që, sipas tij, i irritoi ata me veprimet e tij.
“Ronaldo është një kampion i madh, por nganjëherë ai mund të jetë irritues”, pranoi Rossi. “Pas penalltisë që e shënoi kundër nesh, ai brohoriti sikur të kishte shënuar në finale. Njerëzit i vërejnë këto gjëra”.
Rossi gjithashtu u pyet nëse ishte në siklet për faktin që Hungaria kundërshtoi që stadiumi “Allianz Arena” në Munich të kishte ngjyrat e ylberit.
“Unë shqetësohem për të bërë punën time, unë preferoj të mos përfshihem shumë në gjëra të tilla sepse çdo mendim mund të shfrytëzohet. Secili prej nesh ka një ndërgjegje dhe unë mund të eci me kokën lart”, u shpreh Rossi. “Bazuar në përvojën time të madhe, lirisht mund të them se në Hungari ka tolerancë absolute. Edhe unë jam i huaj. Dhe unë kurrë nuk kam parë episode të diskriminimit ndaj homoseksualëve”.
Rossi është në Hungari prej qershorit të vitit 2012, kur u emërua trajner i skuadrës së Hovendit, ndërsa prej qershorit të vitit 2018 është në krye të Përfaqësueses së Hungarisë. Ai që prej asaj kohe ka qëndruar dhe jetuar në Hungari. Kontrata e tij me Federatën e Futbollit të Hungarisë skadon në dhjetor të vitit 2025 dhe Rossi po synon një vend në Botërorin “Katari 2022”.
“Unë do të doja të kthehesha në një klub në Itali për të punuar, por nënshkrova me Hungarinë deri në dhjetor të vitit 2025. Jam shumë i lumtur dhe po e ndiej veten si hungarez. Tani pasi eliminimit në Evropian, synimi im është që ta kualifikoj Hungarinë për Kampionatin Botëror”, zbuloi Rossi.
Rossi beson se Franca do të shkojë më së largu nga të gjithë rivalët e Hungarisë që i pati në kuadër të Grupit F.
“Franca e ka një lojtar si Kylian Mbappe. Ai mund të jetë i pandalshëm, veçanërisht kundër ekipeve më të forta, të cilat do të mbyllen më pak në mbrojtje. Sa i përket Portugalisë, është më mirë me tre mesfushorë, si të mërkurën. Nëse Ronaldo është atje, duhet të kesh tre lojtarë në mesfushë dhe një prej tyre duhet të jetë Renato Sanches”, insistoi Rossi.
Edhe
Rossi tregon se a do të eksperimentojë Hungaria ndaj Kosovës
Tani 56-vjeçari, që është nga komuna Druento në Torino, do të kthehet në Itali. Mirëpo, kjo do të jetë vetëm një vizitë e shkurtër, për ta parë nënën e tij.
“Unë do të shkoj në Itali për tri javë për të parë nënën time. Unë jam banor i Hungarisë dhe nënën nuk e kam parë që nga dhjetori i vitit 2019”, tha Rossi.