Përfaqësuesja e Italisë përballet me Austrinë në 1/8 e finales të “Euro 2020”, të shtunën, pas paraqitjeve fantastike që i pati në fazën e grupeve. Italianët i fituan tri ndeshjet e Grupit A, duke shënuar shtatë gola dhe duke mos pësuar asnjë, falë një loje sulmuese dhe argëtuese. Futbollistët e përzgjedhësit Roberto Mancini udhëtojnë në Londër të pamposhtur në 30 ndeshjet e fundit ndërkombëtare, duke regjistruar 25 fitore dhe pesë barazime. Nëse shmangin humbjen nga Austria në “Wembley”, atëherë Italia do të tejkalojë rekordin e ekipit të Vittorio Pozzos në vitin 1930. Që skuadra e Mancinit i ka fituar 11 ndeshjet e fundit pa pësuar gol është arsye tjetër për optimizëm para duelit me Përfaqësuesen e Austrisë.
Pse Mancini ka përdorur 25 lojtarë në tri ndeshje?
Të gjithë lojtarët e Italisë vazhdojnë të theksojnë se sa i bashkuar është ky grup.
“Ka shumë konkurrencë, pasi ne jemi 26 lojtarë të mirë”, pranoi sulmuesi i krahut, Federico Bernardeschi, i cili është pjesë e skuadrës së Juventusit. “Por kjo nuk duhet të jetë e dëmshme për ekipin kombëtar dhe për objektivin tonë të përbashkët. Sipas mendimit tim, kjo është thelbësore për të arritur një rezultat vërtet të madh”.
Mirëpo ka edhe më shumë se kjo. Përzgjedhësi Mancini ishte lojtari i vetëm në skuadër që nuk luajti asnjë minutë në Kampionatin Botëror të vitit 1990 që u mbajt në Itali. Dhe, dëshira e tij për të mos shkaktuar një fat të ngjashëm për ndonjërin nga skuadra e tij aktuale doli në pah kur Mancini e zëvendësoi portierin Gianluigi Donnarumma me Salvatore Sirigun vonë kundër Uellsit. Lojtari i vetëm që deri më tani nuk ka luajtur te Italia në Kampionatin Evropian është portieri i tretë, Alex Meret.
Puthja për fat të mirë
Me siguri se të gjithëve u kujtohet rituali i qendërmbrojtësit të Francës, Laurent Blanc, për të puthur portierin Fabien Barthez në kokën e tij tullace menjëherë para çdo ndeshjej për t'i sjellë skuadrës së tij fat. Edhe te Italia e kanë të njëjtin ritual. Veçanërisht Leonardo Bonucci, i cili bën të njëjtën gjë me ndihmësin e Mancinit, Attilio Lombardon, i njohur me shumë dashuri nga disa tifozë si “The Bald Eagle” (Shqiponja tullace). Lombardo është një nga disa shokët e dikurshëm të Mancinit në Sampdoria që tani punojnë së bashku edhe te Përfaqësuesja e Italisë. Ish-partneri i tij i sulmit te Sampdoria, Gianluca Vialli, është kreu i delegacionit të Italisë, ndërsa Alberico Evani, Giulio Nuciari dhe Fausto Salsano janë gjithashtu pjesë e stafit të Mancinit.
Maskota
Të gjithë e dinë maskotën e turneut që njihet me emrin “Skillzy”, por Italia gjithashtu ka maskotën e saj me fat, një figurë qenushi të krijuar nga modeluesi i ndjerë, fitues i “Oscarit”, Carlo Rambaldi. Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina, tha se Rambaldi, i cili vdiq në 2012 e pasi fitoi tri herë “Oscarin” për krijimet e tij në filma si “ET”, “Alien” dhe “King Kong”, së pari ia tregoi atij skicat për maskotën e italianëve në vitin 2007.
“Tani më në fund kemi bërë maskotën e Carlos, që i jep atij ‘Oscarin’ e katërt”, insistoi Gravina.
Muzika, fituese e “Oscarit”
Një tjetër tri herë fitues i “Oscarit”, muzikanti Giorgio Moroder, shkroi “Un'estate Italiana” - e cila njihet si kënga e kupës së botës “Italia 1990” - së bashku me këngëtarët italianë Gianna Nannini dhe Edoardo Bennato. Giorgio Chiellini, lojtari më i vjetër në skuadrën e Italisë, ishte vetëm gjashtë vjeç në atë kupë bote, ndërsa 19 lojtarë në këtë ekip as nuk kishin lindur. Sidoqoftë, kjo është kënga që tifozët dhe lojtarët e Italisë po e këndojnë për të festuar fitoret në Kampionatin Evropian të kësaj vere. Netët magjike të italianëve pritet të vazhdojnë edhe më tej në “Euro 2020”, kurse nëpër qytetet italiane tashmë kënga e famshme ka kohë që po këndohet vazhdimisht.
Festa me pica
Nuk kishte vetëm muzikë te Përfaqësuesja e Italisë për të festuar kualifikimin në fazën e nokautit të Kampionatit Evropian. Pas fitores kundër Uellsit, italianët e kaluan një ditë të lirë në Coverciano dhe e pritën në vizitë Ciro Olivan, një picamen i famshëm nga Napoli dhe mik i madh i lojtarit Lorenzo Insigne. Oliva përgatiti pica për të gjithë në kamp dhe për italianët nuk kishte mënyrë më të mirë për ta festuar suksesin e fazës së grupeve sesa me një “Margarita” të përsosur.