Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Peter Schmeichel beson se Kasperi është i gatshëm për penallti në Evropian

Peter Schmeichel insiston se i biri i tij, Kasperi, do të jetë gati për penallti nëse është e nevojshme kur Danimarka të përballet me Anglinë në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian, të mërkurën mbrëma në stadiumin “Wembley” në Londër. Ai gjithashtu i ka paralajmëruar anglezët se Danimarka nuk është aspak kundërshtar për t’u nënvlerësuar. Ish-portieri i Manchester Unitedit ishte pjesë e ekipit danez që tronditi botën në vitin 1992, kur e fituan Kampionatin Evropian për herë të parë dhe të vetme, pasi morën një ftesë të vonshme për pjesëmarrje në turne pas diskualifikimit të ish-Jugosllavisë. Babai i Kasperit, Peteri, e mbajti portën të paprekur në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Anglisë, por më e rëndësishmja ishte se ai e priti gjuajtjen e Marco van Bastenit nga penalltia në gjysmëfinale kundër Holandës. Atë ndeshje e fitoi Danimarka 5:4 pas penalltive për të avancuar në finale. Ndërsa Schmeichel edhe në finale ishte i jashtëzakonshëm derisa Danimarka triumfoi ndaj Gjermanisë me rezultatin 2:0 për t’u shpallur kampione e Evropës. E tani Schmeichel do ta përkrahë të birin, Kasperi, në gjysmëfinale ndaj Anglisë. Kasper Schmeichel bën karriere te skuadra e Leicester Cityt, me të cilin e ka fituar titullin e kampionit në Premier League.

“Unë jam i sigurt se Kasperi do të ndihet njëjtë sikurse unë në vitin 1992 nëse vjen puna te penalltitë. Pra, është një sfidë e radhës për të e që jam i bindur se do ta tejkalojë”, tha Peteri 57-vjeçar. “Ai është portier, kështu që edhe penalltitë janë pjesë e punës së tij. Penalltitë janë të rëndësishme shumë dhe unë jam i bindur se ai do të jetë gati nëse ndeshja duhet të vendoset prej tyre”.

Peteri po paramendon një skenar të ngjashëm sikurse në vitin 1992. Dueli i gjysmëfinales së asaj kohe ndërmjet Danimarkës dhe Holandës përfundoi pa fitues - 2:2. Ndërsa në penallti ishin danezët që u treguan më të saktë dhe u kualifikuan në finale.

“Unë mendoj se një gjë të cilën e ka në mendje Kasperi është hera e fundit kur Danimarka ishte në finale të Kampionatit Evropian në vitin 1992. Atë ndeshje e fitoi Danimarka pas penalltive, kështu që Kasperi mund ta bëjë një gjë të tillë. Kam besim të madh tek ai”, insistoi Peter Schmeicheli.

Anglia po shihet favorite përballë Danimarkës, pasi po e kërkon finalen e parë në një Kampionat Evropian. Mirëpo Schmeicheli e paralajmëroi skuadrën e Gareth Southgatet që të mos nënvlerësojë Danimarkën, që, sipas tij, tashmë është rikuperuar nga trauma e kolapsimit të Christian Eriksenit në ndeshjen e parë të Evropianit për të arritur deri në gjysmëfinale.

Edhe Schmeichel pretendon se UEFA kërcënoi Danimarkën me humbje 3:0 Euro 2020 Schmeichel pretendon se UEFA kërcënoi Danimarkën me humbje 3:0

“Anglia duhet të ketë parasysh se në gjysmëfinale nuk ka kundërshtar të dobët. Secila skuadër që arrin në mesin e katër më të mirave në Evropian është cilësore dhe për këtë nuk duhet pasur dyshim”, shtoi ai. “Ne mund të kishim luajtur me Italinë ose Spanjën, që janë skuadra shumë të forta. Por, unë mendoj se Danimarka në këtë turne e ka dëshmuar veten si një ekip shumë i fortë dhe i rrezikshëm për këdo”.

Ndeshja mes Anglisë dhe Danimarkës nis në orën 21:00.