Franca dhe Gjermania zakonisht përballen në faza të vonshme të garave të mëdha të futbollit.
Jo këtë herë.
Dy gjigantët evropianë të futbollit do të takohen në fazën grupore të Kampionatit Evropian apo Kupës së Botës, për herë të parë të martën, kur e hapin kampanjën në “Euro 2020” me ndeshjen nga ora 21:00 në Munich.
Ndeshja e fundit mes tyre në ngjarje të mëdha ishte në gjysmëfinale të “Euro 2016”. Antoine Griezmann kishte shënuar dy herë për Francën në fitoren 2:1 ndaj Gjermanisë, që atëherë ishte kampione e botës. Ndeshja ishte luajtur në Marseille.
Gjermania nuk është rikuperuar asnjëherë prej atëherë, ndërsa Franca, ndonëse humbi finalen e “Euro 2016”, e fitoi Botërorin dy vjet më vonë.
Edhe
Franca synon kalimin tutje, Zvicra t’i japë fund serisë negative në fazën nokaut
Është jo shumë e zakontë që asnjë prej lojtarëve aktualë të Gjermanisë nuk ka shënuar gol në Kampionate Evropiane. Thomas Mueller, që ka luajtur 11 ndeshje në turne, ka humbur penalltinë në çerekfinalen e fituar ndaj Italisë në “Euro 2016”, pas ekzekutimit të penalltive.
Gjermanët shpresojnë për një fillim të mirë në Munich, me shpresë për sukses në turneun e fundit të Joachim Loewit, që largohet nga posti i selektorit pas 15 vjetësh.
Gjermania do të takohet me kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë, më 19 qershor. Katër ditë më vonë e luan ndeshjen e fundit në Grupin F ndaj Hungarisë. Gjermanët do t’i luajnë të gjitha ndeshjet në grup në Munich. Në këtë qytet do të luhet edhe një prej çerekfinaleve, më 2 korrik.
Franca luan me Hungarinë më 19 qershor në Budapest, ndërsa qëndron në këtë qytet për ndeshjen me Portugalinë, më 23 qershor.
Loew vendosi të largohet nga posti i selektorit pas Evropianit, për të hapur rrugë që dikush tjetër ta ringjallë Gjermaninë, pas dështimit në Botërorin 2018. Ish-asistenti i tij, Hansi Flick, do të kërkojë kualifikimin në Botërorin 2022 në Katar.
Loew ka rikthyer lojtarët me përvojë Mueller dhe Mats Hummels për “Euro 2020” dhe kthimi i tyre duket se ka arritur efektin e dëshiruar. Gjermania është dukur solide në barazimin 1:1 ndaj Danimarkës, ndërsa më pas u mbush me vetëbesim me fitoren 7:1 ndaj Letonisë. Në atë ndeshje shënuan shtatë lojtarë të ndryshëm.
Por goli i pranuar mund të jetë më i rëndësishëm se shtatë golat e shënuar.
“Janë situata, momente, ku mungesa e fokusit kushton”, ka thënë Loew. “Kundërshtarët do të na dënojnë pikërisht në atë mënyrë. Ne duhet ta mbajmë koncentrimin në nivel të lartë për 90 minuta, në çdo situatë. Ka përfundimisht hapësirë për t’u përmirësuar në atë drejtim”.
Edhe
Gjermania në kërkim të efikasitetit në ndeshjen ndaj kampiones në fuqi
Treshja e frikshme e sulmit të Francës, Griezmann, Kylian Mbappe dhe Karim Benzema, ka shumë më tepër gjasa që të përfitojë nga gabimet eventuale të Gjermanisë në mbrojtje. Benzema është ftuar nga Didier Deschamps pas afro gjashtë vjetësh mungesë.
33-vjeçari Benzema ka sanuar një lëndim të pësuar në fitoren 3:0 të Francës ndaj Bullgarisë, më 8 qershor. Ai ishte kthyer në fitoren 3:0 ndaj Uellsit, katër ditë më herët. Kishte goditur shtyllën në atë ndeshje dhe një penallti i ishte ndalur. Griezmann po ashtu ka sanuar një lëndim të vogël.
Franca po tenton të bëhet përfaqësuesja e parë që në dy raste të ndryshme i mban titujt e botës dhe të Evropës. Selektori Didier Deschamps kishte fituar Botërorin 1998 dhe Evropianin 2000 si lojtar dhe mund ta përsërit këtë si trajner.
Pos Francës, vetëm edhe Gjermania Perëndimore dhe Spanja kanë mbajtur të dy titujt në të njëjtën kohë.
Ndeshja mes Francës dhe Gjermanisë është e fundit e raundit të parë të fazës grupore në Euro 2020.
“Jemi përgatitur mirë gjatë dy javëve të fundit. Kemi bërë hapa në drejtimin e duhur, kemi atmosferë të shkëlqyeshme në kamp dhe ka dëshirë e ambicie për sukses. Këtë po e ndiej dhe mezi presim të fillojmë nesër”, ka thënë Loew.
“Kemi shumë kualitet në ekip, balancë të mirë, miksim të mirë të sulmit dhe mbrojtjes. Në sulm kemi shumë kualitet, kemi lojtarë që mund ta vendosin ndeshjen. Të dy ekipet kanë sulme të rrezikshme. Duhet të jemi të fokusuar çdo sekondë dhe të mos i largosh sytë nga lojtarët kundërshtarë”, ka theksuar selektori gjerman.
Edhe
Nis ndeshja Francë - Gjermani
“Është ndeshje e madhe për të filluar Evropianin. Është ndeshje e madhe për ne, por edhe për Gjermaninë. Jemi prej ekipeve më të mëdha në Evropë. Objektivi është të jemi efektivë në të dy anët e fushës. Gjermania ka lojtarë të talentuar, që nuk kanë pozita të caktuara. Havertz vrapon në gjithë fushën. Të tjerët si Gnabry, Werner e Sane janë profil tjetër lojtarësh. Do të shohim ekipin e tyre në fushë”, ka thënë Deschamps.
“Euro 2020”, Grupi F: Franca – Gjermania, e martë 21:00