Euro 2020

Gjermania në kërkim të efikasitetit në ndeshjen ndaj kampiones në fuqi

Portugalia e ka në përbërje golashënuesin më të mirë në histori të kampionateve evropiane, superyllin Cristiano Ronaldo. Gjermania e ka një ekip plot me lojtarë që asnjëherë nuk kanë shënuar gol në turneun kontinental.

Portugalia e Gjermania takohen të shtunën nga ora 18:00 në Munich, në xhiron e dytë të fazës grupore në “Euro 2020”. Ndeshja i takon Grupit F.

Ronaldo shënoi dy gola të vonshëm në fitoren 3:0 ndaj Hungarisë, të martën, për t’u bërë golashënuesi më i mirë në histori të evropianëve me 11 gola. Në anën tjetër, Gjermania u mundua e u mundua, por nuk ia doli ta thyejë mbrojtjen e Francës në humbjen 1:0.

Pa gol të shënuar dhe pa pikë në konto, presioni është te Gjermania për të bërë dukshëm më tepër para ndeshjes së fundit në grup, ndaj Hungarisë.

“Ne kemi zero pikë. Por ne ende duhet ta mbajmë kokën lart”, ka thënë mesfushori i Gjermanisë, Toni Kroos. “Janë ende gjashtë pikë për t’u fituar. Duhet të koncentrohemi në këtë”.

Kampionia në fuqi, Portugalia, mund të sigurojë kalimin në një të tetën e finales me fitore. Në ndeshjen e fundit në grup, Portugalia takohet me kampionen në fuqi të botës, Francën.

“Do të jetë ndeshje e vështirë për ne, por edhe për Gjermaninë po ashtu”, ka thënë mesfushori i Portugalisë, Bruno Fernandes.

Gjermania e kishte më shumë topin në pronësi dhe lojtarët e saj kanë vrapuar më shumë se ata të Francës. Gjermanët kishin dhjetë raste, në krahasim me Francën që i kishte katër. Por, Franca vazhdimisht është dukur më e rrezikshme dhe kishte dy gola të anuluar për pozitë jashtë loje.

“Gjëja e vetme që nuk bëmë është shënimi i golave. Nuk ishim sa duhet klinikë dhe duhet të punojmë në këtë. Por përkushtimi që pashë më bën optimist për dy ndeshjet e ardhshme”, ka thënë seleksionuesi i Gjermanisë, Joachim Loew.

Gjermanisë i mungon një sulmues që shënon si Ronaldo, që është bërë i pari lojtar që ka realizuar në pesë evropianë të ndryshëm, apo si polaku Robert Lewandowski, që ka thyer rekordin e Bundesligës për gola të realizuar në një edicion.

Por, natyrisht Gjermania ka lojtarë që mund të shënojnë gola, si Thomas Mueller, Kai Havertz, Ilkay Gundogan dhe Serge Gnabry.

Loew aktivizoi Timo Wernerin, Leroy Sanen dhe më pas edhe Kevin Vollandin në ndeshje ndaj Francës, në atë që dukej tentim dëshpërues për të shënuar gol. Por asnjëri nuk bëri dallimin.

Muelleri, i ftuar për Evropian pasi shënoi 11 gola në Bundesligë dhe asistoi 21 të tjerë në edicionin e fundit, ka 12 gola në kampionatin kontinental pa gol të shënuar.

Gjermanët kanë dështuar edhe nga ndërprerjet. Nuk janë shfrytëzuar dy goditje dënimi nga pozita të mira dhe pesë goditje nga këndi.

“Ne kemi ushtruar shumë ndërprerjet. Për fat të keq nuk jemi shpërblyer për këtë në ndeshjen ndaj Francës”, ka thënë Loew. “Është detyrë e jona ta përmirësojmë këtë”.

Për Portugalinë, Nuno Mendes është një brengë për shkak të lëndimit. Mbrojtësi i majtë ka stërvitur individualisht në palestër të enjten, ndërsa bashkëlojtarët e tij ushtruan së bashku në fushë të hapur.

Gjermania ka më shumë brenga edhe në këtë drejtim. Mbrojtësi Lukas Klostermann është lënduar të enjten, Gnabri ka bërë vetëm ushtrime individuale, Jonas Hofmann po punon ende për kthim nga një lëndim i gjurit, ndërsa Leon Goretzka vetëm sa është kthyer.

“Mendoj se Goretzka do të jetë një opsion i mirë gjatë ndeshjes”, ka theksuar Loew.