Euro 2020

Nga dështimi në politikë te suksesi në Euro 2020 – rrugëtimi i veçantë i Shevchenkos

Më 11 qershor të vitit 2012, Ukraina e shënoi fitoren e parë në kampionate evropiane – 2:1 ndaj Suedisë. Suksesi i fundit në këtë turne i Ukrainës u regjistruar të martën mbrëma. Prapë ndaj Suedisë dhe prapë me shifrat 2:1.

Këto dy momente të mëdha në historinë sportive të Ukrainës kanë një të përbashkët – Andriy Shevchenkon.

Shevchenko kishte shënuar dy golat në fitoren ndaj Suedisë në Kiev. Dhe Shevchenko si trajner e udhëhoqi Ukrainën drejt fitores në një të tetën e finales në Euro 2020, më herët këtë javë.

Por, nuk bëhet fjalë për një tranzicion të qetë të një ish-ylli të futbollit në pozitën e trajnerit.

Shumë gjëra, disa jo të mira, ndodhën mes dy prej fitoreve më të mëdha të Shevchenkos, shkruan “goal.com”.

Çka bëri Shevchenko pas Euro 2012?

Ai u pensionua. Në fund të korrikut të vitit 2012, Shevchenko njoftoi se do të futej në politikë. Sheva i famshëm iu bashkua partisë “përpara Ukrainë”.

Por, as popullariteti i jashtëzakonshëm i futbollistit nuk ndihmoi kauzën. Partia mori vetëm 1.58 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme në tetor të vitit 2012 dhe kështu nuk siguroi ulëse në parlament.

Kjo sinjalizoi fundin e karrierës së shkurtër politike të Shevchenkos.

Kur u kthye Shevchenko në futboll?

Në nëntor të vitit 2015, Ukraina u kualifikua për Euro 2016, duke e mposhtur Slloveninë me rezultatin e përgjithshëm 3:1, pas dy ndeshjeve të plejofit.

Por, Federata e Futbollit e Ukrainës u gjend në pozitë të palakmueshme, pasi stafi i trajnerëve kishte kontrata vetëm deri në fund të vitit 2015.

Mes pasigurisë së madhe, kishte raporte se kontrata e Mykhailo Fomenkos nuk do të rinovohej dhe se Shevchenko do ta zinte pozitën e tij. Këto raportime nuk u pranuan mirë nga komentatori me ndikim në futbollin ukrainas, Viktos Vatsko.

“Me gjithë respektin për Shevchenkon si trajner, ky do të ishte një hap i rrezikshëm strategjik për drejtuesit e Federatës. Ne të gjithë e kuptojmë se bëhet fjalë për një pozitë prestigjioze e të rëndësishme dhe t’i jepet ajo një personi që nuk ka punuar asnjë ditë si trajner do të ishte absurde”, kishte thënë ai.

Në fund, Federata e Ukrainës u pajtua të vazhdojë me Fomenkon, kurse Shevchenko u shtua në staf në shkurt të vitit 2016. Ai e zëvendësoi ish-lojtarin e Juventusit, Oleksandr Zavarov, në pozitën e asistent-trajnerit.

Si shkoi Euro 2016 për Ukrainën?

Keq. Ukraina humbi të tria ndeshjet në grup, me Gjermaninë, Irlandën e Veriut dhe Poloninë, pa shënuar asnjë gol.

Pas këtij dështimi, i gjithë shtabi teknik u lirua, në përjashtim të Shevchenkos. Legjendës së Milanit iu besua ndërtimi i ekipit të ri nacional.

Disa kritikë besuan se kjo u bë për shkak të miqësisë së Shevchenkos me udhëheqësin e Federatës, Andriy Pavelko.

Pavelko nuk është shumë i popullarizuar në Ukrainë dhe një pjese të tifozëve u pengon afërsia e Shevchenkos me të.

Me cilat sfida u përball Shevchenko?

Problemi i parë me të cilin u përball Shevchenko ishte ndarja e madhe në dhomën e zhveshjes.

Tek Ukraina luanin kryesisht lojtarë të Dynamo Kievit dhe Shaktar Donetskut, shumë prej të cilëve u përfshinë në një përleshje masive në një ndeshje mes klubeve, pak para Euro 2016.

Shevchenko mori meritat që ishte në gjendje ta bashkonte ekipin. Ishte shenja e parë e aftësive të tij menaxhuese.

Momenti më i paharruar në këtë mision erdhi pak para ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Spanjës, në tetor të vitit të kaluar. Një lojtar i paidentifikuar pa diçka qesharake në lidhje me udhëzimet e Shevchenkos gjatë një bisede të skuadrës.

Videoja nga ai moment u bë virale, ndërsa trajneri përgjigjej: Mos qesh. Nuk është qesharake. Nuk është qesharake për mua dhe nuk do të jetë për askënd nesër. Në rregull?”

Në natën tjetër, Ukraina mori fitore të madhe – 1:0 – ndaj Spanjës.

Shevchenko po ashtu ka mbajtur afër trajnerë kualitativë. Ai afroi trajnerë si legjenda e Milanit, Mauro Tassoti (asistent), ish-ndihmësin e Maurizio Sarrit, Luigi Nocentini, dhe ndoshta më të rëndësishmin, Andrea Azzalin, që ishte trajner i fitnesit te Leiceter City në kampanjën që solli titullin e Premier Leagues në vitin 2016.

Si kanë shkuar gjërat në fushën e lojës?

Goxha mirë, ndonëse ka pasur momente të vështira. Një humbje 1:0 nga Malta në një ndeshje miqësore jozyrtare në Austri në qershor të vitit 2017 vlerësohet rezultati më turpërues në historinë e futbollit të Ukrainës.

Pasi dështoi të kualifikohej në Botërorin 2018 – një humbje 2:0 nga Kroacia doli të jetë vendimtare – Ukraina dëshmoi se është ekip në rritje, duke fituar grupin në edicionin e parë të Ligës së Kombeve.

Ishte pak e pritur që Ukraina do ta fitonte grupin kualifikues për Euro 2020, ku ishte edhe Portugalia. Me Cristiano Ronaldon dhe të tjerët, ukrainasit morën katër pikë.

Në Euro 2020, Ukraina nuk kishte ndonjë konsistencë të theksuar. U kthye nga 2:0 në 2:2 në ndeshjen hapëse ndaj Holandës, për të humbur 3:2 në fund. Dëshpëroi në pjesën e dytë në fitoren 2:1 ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa u kritikua për humbjen 1:0 nga Austria, që thuajse shoi gjasat e saj për avancim.

Por, Ukraina u ndihmua nga rezultatet në ndeshjet e tjera dhe avancoi në fazën nokaut si njëra prej katër përfaqësueseve më të mira të pozitës së tretë. Kishte vetëm tri pikë dhe goldallim -1.

Më pas, Shevchenkos i takojnë të gjitha meritat për ndryshimin e mënyrës së lojës që siguroi kalimin e Suedisë në një të tetën e finales.

Cila është sfida e ardhshme për Shevchenkon?

Një vit më parë ka pasur thashetheme se Shevchenko mund të kthehet te Milani dhe ta marrë pozitën e trajnerit. Kishte zëra se ai mund të zëvendësohet tek Ukraina nga Serhii Rebrov, që ka udhëhequr Ferencvaroshin drejt Ligës së Kampionëve për herë të parë në 25 vjetët e fundit.

Por, pozita e Stefano Piolit në San Siro tashmë është e sigurt, ndërsa Rebrov ka marrë drejtimin e Al Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Aktualisht, Shevchenko është plotësisht i fokusuar te çerekfinalja e së shtunës ndaj Anglisë.

“Tre Luanët” janë favoritë për të avancuar nga çerekfinalja në Romë. Por, nëse Ukraina disi ia del të shkaktojë tjetër befasi, atëherë ofertat për trajnerin inspirues të saj nuk do të mungojnë pas Evropianit.