Kjo do të thoshte më shumë sesa futboll. Kishte gëzim ndërsa Çekia e mundi çuditërisht Holandën 2:0, për të arritur në çerekfinale të “Euro 2020”. Por, suksesi sportiv arriti në një periudhë trishtimi për vendin.
Të enjten e kaluar, një tornado goditi pjesën jugore të Moravias, duke shkatërruar shtatë fshatra, duke lënë pesë njerëz të vdekur dhe shumë të tjerë pa shtëpi. Pas fitores kundër ekipit të Frank de Boerit, lojtarët çekë dhanë një kontribut financiar për njerëzit në Moravia dhe dërguan një mesazh mbështetjeje nga zhveshtorja.
“Kjo fitore është për ju. Ne jemi mirënjohës për njerëzit që ndihmojnë atje dhe u urojmë të gjitha të mirat të prekurve”, shkroi portieri Tomas Koubek në “Twitter”.
Mesfushori Antonin Barak tha: “Pas asaj që ndodhi, ne donim t'u dërgonim njerëzve disa ndjenja pozitive. Disa tifozë mund të vinin në Budapest për të na mbështetur dhe unë isha njeriu më i lumtur që pashë babanë tim përsëri në tribuna. Kjo do të thoshte shumë për mua dhe më bëri të ndihem krenar”.
Fakti që çekët zunë vend në mesin e tetë skuadrave më të mira në turne mund të jetë një surprizë për shumëkënd. Çekia është e 40-ta në renditjen e FIFA-s dhe kishte nevojë për atë që trajneri Jaroslav Shilhavy e përshkroi si paraqitjen më të mirë nën drejtimin e tij, për të fituar kundër Holandës. Ai mori drejtimin e ekipit në vitin 2018 dhe e ka kthyer në një prej kundërshtarëve më të vështirë për t’u mposhtur në kontinent, duke arritur ta mposhtë Anglinë në kualifikimet e Evropianit dhe pastaj të përparojë nga një grup që përbëhej nga Kroacia, Skocia dhe Anglia sërish.
Çekët tani shpresojnë që kjo gjeneratë të arrijë diçka të ngjashme me ekipin e vitit 1996, që arriti në finalen e Kampionatit Evropian, ose ekipin e vitit 2004, që arriti në gjysmëfinale. Të shtunën, çekët luajnë me Danimarkën në Baku dhe Shilhavy shpreson që një qasje e ngjashme me atë që bëri mrekulli kundër Holandës do të jetë e suksesshme.
“Ne kemi luajtur në mënyrë perfekte si skuadër”, tha ai. “Këtë ua kam thënë lojtarëve të mi: Kundërshtarët tanë janë favoritë të qartë, kështu që ne nuk mund ta bëjmë atë në një mënyrë tjetër përveç të punojmë shumë për njëri-tjetrin. Shpërblimi më i madh për ne është se edhe tifozët holandezë na duartrokitën pas ndeshjes”.
Skuadra e Shilhavyt, e udhëhequr në fushë nga Tomas Soucek dhe Patrik Schick, i cili ka katër gola në turne, i ka bërë tifozët të ëndërrojnë përsëri. Kjo verë ka “ajër” të vitit 1996, kur yjet ishin Pavel Nedved dhe Karel Poborsky ndër të tjerë. Ai turne u luajt në Angli dhe finalja ishte në “Wembley”.
“Ai turne ishte i madh për mua, për lojtarët dhe për tifozët”, tha Dushan Uhrin, trajneri i asaj skuadre. “Ishte një arritje e mahnitshme dhe mbase nuk është vlerësuar plotësisht deri më tani. Pas kësaj, ekipi kombëtar nuk ishte në gjendje të shkonte aq larg”.
Në “Euro 2004”, çekët kishin individë me mendje të fortë – Nedved ishte bashkuar me lojtarë të tillë si Tomas Rosicky, Petr Cech, Jan Koller dhe Milan Barosh – por humbën nga fituesja përfundimtare e turneut, Greqia, në gjysmëfinale. Ekipi aktual mund të mos ketë të njëjtën cilësi të lojtarëve si atëherë, por lojtarët janë në gjendje të japin më të mirën, falë organizimit dhe punës së palodhur.
Shilhavy mësoi nga më të mirët. Ai ishte ndihmës i Karel Bruckner, trajnerit në “Euro 2004”, dhe luajti nën Uhrinin tek ekipi Cheb në vitet ‘80.
“Jarda di si të sillet me lojtarët, ai ishte mbrojtësi im qendror për shtatë vjet”, thotë Uhrin. “Si trajner ai është në gjendje të krijojë një atmosferë të mirë dhe ka atë fat që i duhet çdo menaxheri të mirë. Fryma e ekipit është një avantazh i madh”.
Duke luajtur me sistemin 4-2-3-1, Çekia është sa më e drejtpërdrejtë që është e mundur dhe ndihmohet nga fakti që lojtarët kryesorë janë në formë të mirë. Suksesi i ekipit kombëtar nuk është rastësi: Sllavia e Pragës ka arritur në çerekfinale të Ligës së Evropës dy herë gjatë tri edicioneve të fundit dhe kjo është një ngjashmëri tjetër me ekipin e vitit 1996, i cili përfitoi nga i njëjti klub që arriti në gjysmëfinalen e Kupës së UEFA-s atë vit.
“Sparta gjithashtu kishte luajtur mirë në Ligën e Kampionëve. Unë e kam stërvitur atë kur pothuajse kemi arritur në finale në vitin 1992”, thotë Uhrin. “Pastaj në Euro kemi pasur një ekip të shkëlqyeshëm me lojtarë në kulmin e formës së tyre, si dhe shumë lojtarë të rinj që ishin të motivuar”.
Ato talente të reja – Nedved, Poborsky, Patrick Berger dhe Vladimir Smicer – vazhduan të luajnë jashtë kufijve dhe u shndërruan në ikona.
“Këta djem krijuan një shtyllë kurrizore për ekipin, veçanërisht në sulm”, thotë Uhrin. “Ne ishim shumë të rrezikshëm dhe komiteti teknik i UEFA-s, me Sir Alex Fergusonin dhe Gerard Houllierin, e vlerësuan atë”.
Pas brezit të dytë të artë që doli në pension, që përfshinte Rosickyn dhe Cechun, pati një rënie. Çekia nuk pati rezultate të mira, kurse klubet duke u përpjekur të kualifikohen në Ligën e Kampionëve u mbështetën në transferimet e huaja.
Në vitin 2018, Karel Jarolim, paraardhësi i Shilhavyt, e veçoi Spartën për kritikë, duke thënë se një nga ndeshjet e saj “dukej si një miqësore e ekipit kombëtar rumun”. Që atëherë Sparta ka ndërtuar ekipin rreth 18-vjeçarit Adam Hlozek dhe loja me presion në tërë fushën dhe fizike që aplikohet nga Sllavia nën drejtimin e Jindrich Trpisovsky u bë një plan për Përfaqësuesen e Çekisë.
“Tomas Soucek dhe Vladimir Coufal kishin sezone të shkëlqyeshme në Angli, disa lojtarë janë në Itali dhe Schick luan mirë në Bundesliga”, thotë Uhrin. “Ka shumë cilësi në ekipin aktual të Çekisë”.
Nëse mundin Danimarkën, çekët do të kthehen në Londër për gjysmëfinale. Me kapitenin Vladimir Darida dhe mbrojtësin e majtë Jan Boril përsëri në dispozicion të shtunën, Shilhavy ka një vendim të rëndësishëm për ta marrë: A do ta ndryshojë 11-shen startuese që ia dha fitoren e tij më të madhe?