Euro 2020

Italia mbërrin në Londër

Përfaqësuesja e Italisë ka mbërritur në Londër të shtunën para duelit final të “Euro 2020” kundër Anglisë në “Wembley Stadium”.

Pas udhëtimit herët në mëngjes nga Firence, “Azzurrët” kanë mbërritur në orën 14:30 në bazën e tyre në Britaninë e Madhe për t’i vazhduar përgatitjet e fundit. Ata janë vendosur në qendrën stërvitore të Tottenhamit.

Një numër i tifozëve italianë që jetojnë në Britaninë e Madhe e pritën ekipin e drejtuar nga Roberto Mancini. Italia synon që ta fitojë Kampionatin Evropian për herën e parë prej vitit 1968.

Anglia ende nuk ka fituar ndonjë ngjarje të madhe qëkur triumfoi në Kupën e Botës 1966 dhe janë pa fitore në ndeshje garuese kundër Italisë në gjashtë ballafaqime.

Kanë dy barazime dhe katër disfata. Fitorja e fundit e Anglisë kundër Italisë ishte në “Wembley” në kualifikimet e Kupës së Botës 1978.