Euro 2020

Gjermania e gatshme ta vazhdojë dominimin 55-vjeçar ndaj Anglisë në fazat e nokautit

Përfaqësuesja e Gjermanisë dëshiron ta shtrijë dominimin e saj ndaj Anglisë në fazën e eliminimit të turneve ndërkombëtarë përgjatë 55 vjetësh, kur dy superfuqitë e futbollit botëror do të takohen përsëri të martën mbrëma, në kuadër të 1/8 së finales të “Euro 2020”. Barazimi 2:2 i Gjermanisë me Hungarinë në Munich të mërkurën siguroi përballjen e hidhur me Anglinë e Gareth Southgatet në stadiumin “Wembley” në Londër për një vend në çerekfinale.

“Ky do të jetë një moment kryesor, kështu që do të shkojmë në gjithçka ose asgjë”, tha përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, për duelin me Anglinë.

Loew do të largohet nga Gjermania pas 15 vjetësh me të përfunduar Kampionati Evropian. Meqenëse Anglia mundi Gjermaninë 4:2 pas vazhdimeve për të fituar finalen e Kupës së Botës të vitit 1966, kur Geoff Hurst shënoi “hat-trick” në “Wembley”, gjermanët kanë fituar të katër takimet me eliminim direkt në turnetë e mëdha që nga ajo kohë. Kjo listë përfshin gjysmëfinalen e “Euro 1996”, gjithashtu në Wembley, kur Southgate, trajneri aktual i Anglisë, humbi penalltinë vendimtare. Kjo pasoi me lotët e famshëm të Paul Gascoignet në Torino para se Gjermania të mundte përsëri Anglinë pas penalltive në gjysmëfinalen e Kupës së Botës “Italia 1990”. Në total, Gjermania ka fituar vetëm 13 nga 36 ndeshjet krahasuar me 16 fitoret e Anglisë, ndërsa ka pasur edhe shtatë barazime. Megjithatë, kur bëhet fjalë për eliminimin direkt, atëherë triumfi i vitit 1966 është suksesi i vetëm i Anglisë përballë Gjermanisë.

Mbrojtësi i djathtë i Gjermanisë, Joshua Kimmich, tha se “nuk ka pothuajse asnjë ndeshje më të bukur” sesa të luash kundër Anglisë në stadiumin “Wembley”.

Fati i ekipit gjerman në “Euro 2020” po ndiqet nga afër në Gjermani, ku 25.74 milionë shikues, 71 për qind, ishin ngjitur në televizionet e tyre për ta shikuar barazimin kundër Hungarisë. Kjo shifër, sipas të gjitha gjasave, do të tejkalohet kur Gjermania do të përballet me Anglinë. Duke shënuar dy herë në stadiumin “Allianz Arena” në Munich përballë Hungarisë, gjermanët mbajnë gjallë shpresat për ta fituar për herën e katërt Kampionatin Evropian, që do të ishte një rekord.

“Po! ‘Wembley” në thërret”, shkroi Leon Goretzka në “Twitter” pasi ylli i Bayern Munichut u fut nga banka e rezervistëve për të shënuar golin e barazimit 2:2 ndaj Hungarisë në minutën e 84-të.

“Ne nuk kemi dyshime dhe jemi plot vetëbesim, do të dalim në fushë për fitore”, vazhdoi ai.

Për dallim prej Goretzkas, pjesa tjetër e skuadrës ishte më me këmbë në tokë përpara duelit me Anglinë.

“Kjo ishte një nga ndeshjet më të vështira ndonjëherë”, pranoi Loew, i cili ishte gjashtë minuta larg përfundimit të mandatit të tij me një humbje poshtëruese. “Ajo që ekipi tregoi ishte një mentalitet dhe moral jashtëzakonisht të mirë, dhe shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjen tjetër”.

Gjermanët e kanë parasysh se kundër Anglisë duhet të bëjnë më të mirën, dhe këtë e ka pranuar edhe kapiteni Manuel Neuer.

“’Wembley’ na përshtatet”, tha kapiteni Neuer. “Na duhet një paraqitje më dominante dhe më e sigurt kundër Anglisë, pasi nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo, jemi optimistë”.

Kimmich i bëri jehonë kësaj ndjenje, duke thënë se gjermanët nuk kanë asnjë mundësi ta mposhtin Anglinë, nëse luajnë sikurse me Hungarinë. Megjithatë, ai shtoi se ekipi do të jetë plotësisht gati për këtë ndeshje të rëndësishme.

“Besojmë në një paraqitje të mirë, pasi vetëm fitorja na i mban gjallë shpresat”, shtoi Kimmich.

Mbrojtja e ngathtë gjermane - e cila ka qenë një faktor gjatë gjithë sezonit - lejoi kapitenin e Hungarisë, Adam Szalai, të shënonte golin e epërsisë. Gjermania barazoi me anë të Kai Havertzit, por pësoi një gol pothuajse menjëherë kur mesfushori Andras Schaefer riktheu epërsinë e Hungarisë përpara se Goretzka ta shpëtojë Gjermaninë nga eliminimi i turpshëm. Një humbje nga Franca në ndeshjen hapëse të Grupit F, u pasua nga një fitore mahnitëse 4:2 kundër Portugalisë, por ekipi i Loewit arriti të avancojë në 1/8 e finales, falë pikës së fituar në ndeshjen e fundit. Rezultatet e çrregullta të Gjermanisë kanë qenë një tipar që nga debakli i tyre i Kupës së Botës “Rusia 2018” kur përfundoi e fundit në grup, por skuadra aktuale ka talent dhe potencial për të arritur të paktën deri në finale të “Euro 2020”. Kështu që, Loew ka paralajmëruar lojtarët e tij në prag të duelit me anglezët.

“Ne e dimë që nëse luajmë me potencialin tonë në Londër, do të jemi edhe më të fortë”, këmbënguli Loew. “Por nëse nuk zbatojmë disa gjëra, do të jemi në telashe. Anglezët luajnë në shtëpi dhe do të mundohen ta fitojnë ndeshjen. Do të jetë një lojë e hapur, më e hapur sesa kundër Hungarisë. Ne duhet të korrigjojmë disa gjëra dhe të jemi plotësisht në mbrojtje. Ne duhet të bëjmë paraqitje shumë më të mirë, absolutisht”.