Italia e mposhti Anglinë në finalen e “Euro 2020” për t’u shpallur kampione e Evropës. Italianët triumfuan 3:2 ndaj Anglisë pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa fitues (1:1). Për Italinë, ky është titulli i dytë në Kampionatin Evropian, ndërsa i pari pas 53 vjetësh. Në anën tjetër, Anglia mbeti pa trofeun e shumëkërkuar, i cili do të ishte i pari në një turne të madh pas triumfit në Kampionatin Botëror të vitit 1966. Më poshtë po paraqesim disa prej momenteve më të rëndësishme që e përshkuan “Euro 2020”, që u mbajt në 11 qytete të kontinentit.
Damsgaard, më i merituari për ngritjen e Danimarkës
I futur në ekip si zëvendësimi për Christian Eriksenin, i cili pësoi sulm kardiak gjatë ndeshjes hapëse të Danimarkës kundër Finlandës në Evropian, Mikkel Damsgaard vendosi ritmin për arritjen e danezëve deri në gjysmëfinale. Pasi e filluan kampanjën me disfata të njëpasnjëshme dhe pësuan tronditjen kur panë që lojtari i tyre yll duhej ringjallur në fushë, goli brilant i Damsgaard nga distanca kundër Rusisë bëri që futbollistët e përzgjedhësit Kasper Hjulmand të avanconin nga faza e grupeve me një fitore. Danimarka e fitoi këtë ndeshje 4:1 për të vazhduar rrugëtimin e saj. I eliminoi edhe Uellsin e Çekinë për të arritur në gjysmëfinale, fazë ku edhe përfundoi rrugëtimi i saj. Damsgaard edhe në këtë ndeshje shënoi gol fantastik nga gjuajtja e lirë, por nuk mjaftoi për t’u kualifikuar në finale. Danezët u eliminuan nga Anglia, që triumfoi 2:1 pas vazhdimeve.
Humbja e penalltisë nga Mbappe dhe eliminimi i Francës
Heroi i triumfit të Francës në kampionatin botëror “Rusia 2018”, sulmuesi Kylian Mbappe u bë dështimi më i madh në “Euro 2020” në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Zvicrës, e cila u vendos me penallti. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit nuk arriti të shënonte asnjë gol në katër ndeshje të luajtura në turne, dhe ishte i vetmi lojtar që e humbi penalltinë ndaj Zvicrës, ku dështoi përballë portierit Yann Sommer. Në të vërtetë, humbja ishte një dështim kolektiv, pasi Franca lejoi Zvicrën të kthehej nga disavantazhi 3:1 në 3:3 në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes. “Më vjen shumë keq për penalltinë. Unë doja të ndihmoja ekipin, por dështova”, shkroi Mbappe në Twitter.
Edhe
Hungaria prish në fund festën e Ronaldos dhe Portugalisë
Ronaldo barazon rekordin e golave
Shtatëmbëdhjetë vjet pas golit të tij të parë me Portugalinë në ndeshjen hapëse të “Euro 2004”, ylli Cristiano Ronaldo e barazoi rekordin e të gjitha kohërave për shënimin e golave, të cilin e ka mbajtur ish-sulmuesi i Iranit, Ali Daei. Ai këtë rekord e barazoi me dy gola të shënuar nga penalltia në ndeshjen kundër Francës. Golashënuesi kryesor në historinë e Kampionatit Evropian, Ronaldo realizoi 109 gola për Portugalinë në 178 paraqitje ndërkombëtare. Ronaldo është lojtari i parë që paraqitet në pesë edicione të këtij turneu, kurse në “Euro 2020” shënoi pesë gola në fazën e grupeve për ta fituar “Këpucën e Artë “. Megjithatë, Portugalia u eliminua në 1/8 e finales nga Belgjika. Sulmuesi i Juventusit ka 14 gola të shënuar në kampionate evropiane, pesë më shumë se Michel Platini, i cili shënoi nëntë herë kur ai e udhëhoqi Francën drejt lavdisë në vitin 1984. Ronaldo, gjithashtu u shpall golashënuesi më i mirë për herë të parë në një turne të madh.
Goli i jashtëzakonshëm i Schickut
Skocia u fut në përballjen e saj hapëse të “Euro 2020” kundër Çekisë në “Hampden Park” me plot optimizëm përpara ndeshjes së parë të turneut të madh që nga viti 1998. Por Patrik Schick, i cili më parë kishte luajtur në turne të tillë, shënoi një nga golat më të mirë të Kampionatit Evropian për t’ua siguruar fitoren çekëve me rezultatin 2:0. Sulmuesi i Bayer Leverkusenit vuri re që portieri skocez David Marshall ishte jashtë portës dhe e mposhti me një gjuajtje prej gati 50 metrave. Schick vazhdoi me gola dhe Evropianin e mbylli me pesë gola të shënuar, sa edhe Ronaldo, por portugezi u shpall më i mirë për shkak se e kishte edhe një asistim.
Chiesa e shpëtoi Italinë
Futbollistët e Roberto Mancinit kaluan pa telashe nëpër fazën e grupeve, duke fituar të tri ndeshjet, ndërsa shënuan shtatë gola pa pësuar asnjë. Por, në 1/8 e finales, Italia hasi në telashe të mëdha përballë Austrisë, të cilën e eliminoi vetëm pas vazhdimeve. Ishte sulmuesi i krahut, Federico Chiesa që shënoi në minutën e 95-të, ai që ia siguroi fitoren Italisë me rezultatin 2:1. Pas eliminimit të Austrisë, Italia e vazhdoi rrugën e saj deri në finale të “Euro 2020” për t’u shpallur kampione e Evropës për herë të dytë në histori që nga viti 1968.
Edhe
Mbappe golashënuesi më i mirë, si do të ndikojë kjo te Messi?
Anglia përsëri dështoi në penallti
Pesëdhjetë e pesë vjet pas finales së fundit të madhe, turneu i Anglisë përfundoi me dhimbje të njohur, ndërsa u mposht me penallti në stadiumin “Wembley”. Marcus Rashford e goditi shtyllën përpara se portieri i Italisë Gianluigi Donnaruma të ndalte gjuajtjet e Jadon Sanchos dhe Bukayo Sakas. Pavarësisht triumfit të saj të rrallë në penallti, Anglia i ka humbur shtatë nga nëntë ndeshjet nga penalltitë në turne të mëdhenj.