Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Ekipi i kombinuar i Kampionatit Evropian

Londër, 12 korrik (AP) – Pas 51 ndeshjeve të zhvilluara në 11 qytete përreth kontinentit, me gjithsej 142 gola të shënuar, ka përfunduar Kampionati Evropian. Italia është shpallur kampione, pasi në finale triumfoi ndaj Anglisë me rezultatin 3:2 pas penalltive. Ndërkohë, koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa fitues – 1:1. Më poshtë po paraqesim ekipin e turneut, në të cilin janë përfshirë lojtarët më të spikatur të 24 ekipeve pjesëmarrëse.

Gianluigi Donnarumma – portier

I zgjedhur si lojtari i turneut – portieri i parë që e fitoi këtë çmim në histori të Kampionatit Evropian – kryesisht për shkak të pritjeve të penalltive që i bëri në fitoret e Italisë në gjysmëfinale dhe finale të “Euro 2020”. Gianluigi Donnarumma ishte një prani imponuese në portë gjatë gjithë turneut, dhe në moshën 22-vjeçar duket se do të ketë një karrierë të gjatë dhe të ndritur ndërkombëtare para vetes.

Kyle Walker – mbrojtës i krahut të djathtë

U shfaq si zgjedhje i sistemit me tre mbrojtës edhe pse ishte mbrojtës i krahut të djathtë dhe supozohej që Anglia gjatë tërë turneut do të luante me katër. Megjithatë, Kyle Walker nuk zhgënjeu për asnjë moment tek Anglia në “Euro 2020”. Me shpejtësinë e tij të jashtëzakonshme të rikuperimit të topave, Walker ishte stabil në të dy sistemet e lojës, me tre dhe katër mbrojtës. Ai adaptohej në sistemin e përzgjedhësit Gareth Southgate kur ishte e nevojshme.

Edhe Pesë italianë në ekipin më të mirë të Evropianit Euro 2020 Pesë italianë në ekipin më të mirë të Evropianit

Leonardo Spinazzola – mbrojtës i krahu të majtë

Mungoi në gjysmëfinale dhe finale për shkak të dëmtimit që e pësoi në fitoren e Italisë në çerekfinale ndaj Belgjikës, ndaj së cilës e shpëtoi një gol dhe e mbante ekipin vazhdimisht përpara. Leonardo Spinnazola, pa dyshim se ka qenë mbrojtësi më i mirë i krahut të majtë në “Euro 2020”. Vrapimet dhe depërtimet e tij në krahun e majtë ishin një tipar i shfaqjeve fantastike të Italisë, ekip që në fund e fitoi edhe turneun.

Simon Kjaer – qendërmbrojtës

Ndihmoi për të shpëtuar jetën e Christian Eriksenit, i cili kolapsoi në fushë në ndeshjen e parë ndaj Finlandës pas sulmit kardiak. Pastaj, Simon Kjaer veproi si një lider i vërtetë, duke organizuar një mur mbrojtës rreth mikut të tij të ngushtë dhe motivonte lojtarët e dëshpëruar të Danimarkës. Ai gjithashtu luajti mirë në “Euro 2020”, duke ndihmuar danezët të tejkalonin të gjitha parashikimet duke arritur deri në gjysmëfinale. Pavarësisht se shënoi autogol në gjysmëfinale ndaj Anglisë, Kjaer ishte ndër qendërmbrojtësit më të dalluar të këtij turneu.

Leonardo Bonucci - qendërmbrojtës

Partneriteti i tij për një kohë të gjatë me Giorgio Chiellinin në qendër të mbrojtjes ka arritur në nivele portreti, veçanërisht tani që ata janë kampionë të Evropës. Leonardo Bonucci është 34 vjeç, por lufta e tij në ajër dhe duele e bëjnë njërin prej mbrojtësve më të besuar dhe më të vlefshëm. Ai gjithashtu di të luajë edhe me topin, si dhe të shënojë gola. Bonucci e shënoi golin e barazimit për Italinë në ndeshjen finale të “Euro 2020”, si dhe e mbajti të markuar kapitenin e Anglisë, Harry Kanen. Në fund të fundit, Bonucci u zgjodh lojtari i ndeshjes finale.

Mesfushor – Jorginho

“Topi i Artë” ende mund të përfundojë në duart e mesfushorit me tipare mbrojtëse, të lindur në Brazil. Jorginho para triumfit në “Euro 2020” me Italinë e fitoi edhe trofeun e Ligës së Kampionëve me skuadrën e Chelseat. Ai me qetësi e shënoi penalltinë vendimtare, me të cilën ia siguroi Italisë fitoren përballë Spanjës në ndeshjen gjysmëfinale. Gjithashtu, Jorginho në finale ishte dirigjenti i rikuperimit të Italisë kundër Anglisë në finale edhe pse në fund e humbi penalltinë.

Edhe Çka e karakterizoi Evropianin 2020 Euro 2020 Çka e karakterizoi Evropianin 2020

Mesfushor – Paul Pogba

Nëse Franca do të kishte avancuar përtej 1/8 së finales, atëherë Paul Pogba do të kishte qenë në garë për t’u shpallur lojtari më i mirë i turneut. Numri i madh i pasimeve të sakta, i shoqëruar me një gol mahnitës nga distanca kundër Zvicrës, shfaqi cilësitë që mesfushori jo gjithmonë i demonstron te skuadra e Manchester Unitedit.

Mesfushor: Pedri Gonzalez

Vetëm 18 vjeç dhe duke luajtur në turneun e tij të parë të madh, Pedri ishte një zbulim me pasimin, gjakftohtësinë dhe aftësinë e tij teknike në top. Paraqitja e tij në gjysmëfinale, kur ai ndihmoi Spanjën të tejkalonte një mesfushë të fortë të Italisë dhe të kishte një normë 100 për qind të pasimeve të kompletuara gjatë kohës së rregullt, do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

Sulmues – Lorenzo Insigne

Shkëndija më e ndritshme e repartit sulmues me tre lojtarë të Italisë dhe shënuesi i një prej golave ​​të turneut. Vrapimi i tij, depërtimi dhe gjuajtja fantastike që përfundoi në këndin e portës së Belgjikës, dëshmuan klasën e Lorenzo Insignes. Me këtë gol, Italia e eliminoi Belgjikën, që ishte favoritja kryesore e turneut. Gjithashtu, Insigne shtatshkurtër ishte i shkëlqyeshëm edhe në finale, gjithashtu, pasi kaloi nga krahu i majtë për të marrë një rol të pazakontë në fushë, si një sulmues i thellë.

Sulmues – Raheem Sterling

U fut në “Euro 2020” jashtë formës për shkak të një sezoni jo të mirë që e pati te Manchester City, por Kampionatin Evropian, Raheem Sterling e përfundoi si lojtari më i mirë i Anglisë. Ai shënoi golat fitues në ndeshjen kundër Kroacisë e Çekisë në fazën e grupeve, golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Gjermanisë në 1/8 e finales, dhe e fitoi një penallti që doli të jetë vendimtare në fitoren e Anglisë kundër Danimarkës në gjysmëfinale.

Edhe Të veçantat e “Euro 2020”, shifra e fakte Euro 2020 Të veçantat e “Euro 2020”, shifra e fakte

Sulmues – Cristiano Ronaldo

Luajti vetëm katër ndeshje, por gjithsesi Cristiano Ronaldo përfundoi si fituesi i çmimit të golashënuesit më të mirë të “Euro 2020” me pesë gola dhe një asistim. I qëndrueshëm dhe ende vendimtar në nivelin më të lartë, Ronaldo tani ka barazuar edhe rekordin e golave, të mbajtur nga ish-sulmuesi i Iranit Ali Daei. Tani, edhe Ronaldo ka 109 gola të shënuar në arenën ndërkombëtare.