Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Chiellini pret përballje të vështirë me Lukakun

Kapiteni i Italisë, Giorgio Chiellini ka thënë se lojtarëve italianë nuk u duhet motivimi për ndeshje si ajo ndaj Belgjikës. Italia e Belgjika luajnë nesër mbrëma në Munich në çerekfinale të Euro 2020.

“Nuk duhet të shikojmë për motivim për ndeshje si kjo, pasi adrenalina do të bëjë çdo gjë me të dalë në fushën e lojës. Mendoj se do të jetë një ndeshje në mes dy ekipeve të shkëlqyeshme dhe detaje të vogla me shumë mundësi do ta bëjnë diferencën”, ka thënë Chiellini në konferencë për shtyp, të enjten.

Mbrojtja italiane do të ketë punë të madhe me sulmuesin e fuqishëm të Belgjikës, Romelu Lukaku. Këtë e di edhe Chiellini.

“Kemi shumë respekt për Lukakun pasi ai ka pasur edicion të shkëlqyeshëm te Interi dhe është bërë lojtar dominant. Por është thuajse fyerje të flasësh vetëm për Lukakun kur sheh sa lojtarë cilësorë ka Belgjika”, ka shtuar Chiellini. “Do të jetë vështirë të përballem me Lukakun. Por jam i sigurt se unë dhe ai do të flejmë mirë sonte”.

Chiellini ka shtuar se shumë lojtarë janë të përkushtuar që të luajnë. Ai mungoi në dy ndeshjet e fundit, por thekson se do të jetë në dispozicion.

“Trajneri do të ketë shumë dyshime të selektimit në kokë. Ky grup i ka treguar atij se shumë lojtarë janë të përkushtuar për të luajtur”.

Artikuj të ngjashëm