Maqedonia e Veriut ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë të “Euro 2020”.
Kësaj radhe është mposhtur nga Ukraina me rezultat 2:1 dhe gjasat për kalimin në fazën e dytë janë të vogla.
Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, ka thënë pas ndeshjes se me paraqitjen në pjesën e dytë treguan se pse janë në Evropian.
Ai është ngushëlluar me duartrokitjen e publikut.
“Ne luajtëm shkëlqyeshëm në pjesën e dytë dhe treguam pse jemi në Kampionatin Evropian. Në pjesën e parë vërtetë luajtëm dobët, por në pjesën e dytë treguam një lojë të shkëlqyeshme. Kur në fund publiku ju dërgon duartrokitje, tregon se si keni luajtur në atë ndeshje”, tha Angelovski.
Ai shtoi se në ndeshjen e fundit kundër Holandës do të luajnë lojën e tyre dhe nuk do të dorëzohen.
“Do të luajmë një ndeshje të guximshme me Holandën dhe nuk do të dorëzohemi. Nuk ka motiv më të madh se të luash kundër Holandës. Shpresoj që pavarësisht lojës së mirë, ne do të jemi në gjendje për të arritur pikët e para në Kampionatin Evropian", deklaroi Angelovski.
Maqedonia renditet e fundit në Grupi C, ku pas dy ndeshje ka po aq humbje.