Euro 2020

Ali Daei pret nga Ronaldo t’ia thyejë rekordin

Legjenda e Iranit, ish-sulmuesi Ali Daei ka përgëzuar Cristiano Ronaldon pasi ia barazoi rekordin e golave të shënuara për kombëtare.

Ronaldo me dy golat në ndeshjen kundër Francës ka arritur në shifrën totale të 109 golave me Portugalinë, gjë të cilën e kishte bërë Ali Daei i Iranit më herët.

Ai në Instagram ka shkruar se është i nderuar që Ronaldo mund t’ia thyejë rekordin.

“Urime Cristiano, i cili tani është një gol larg thyerjes së rekordit. Jam i nderuar që kjo arritje e jashtëzakonshme do t’i përkasë Ronaldos, një kampioni të madh të futbollit dhe humanistit të kujdesshëm që frymëzon dhe ndikon në jetë në gjithë botën”, ka shtuar Ali Daei.

Ronaldo është bërë lojtari i parë që ka arritur shifrën e 20 golave në ngjarje të mëdha të futbollit. Ai këtë shifër e ka arritur në Kampionate Evropiane e Kampionate Botërore. Miroslav Klose është i dyti me 19 gola, ndërsa Gerd Mueller i treti me 18.