Anglia ka pasur disa partneritete të jashtëzakonshme në mesfushë gjatë 50 vjetëve të fundit, lojtarë që kanë dominuar Evropën me klubet e tyre. Por Kalvin Phillips dhe Declan Rice kanë dalë si çift i fortë, që tani pritet ta pushtojnë kontinentin për vendin e tyre.
David Platt, Paul Ince dhe Paul Gascoigne shijuan gjysmëfinalen e “Euro 1996” dhe botërorin “Italia 1990”, ndërsa Frank Lampard dhe Steven Gerrard ishin ndër më të mirët në botë për disa vite, por kurrë nuk mund të jepnin më të mirën nga vetja kur luanin së bashku për Anglinë.
Colin Bell dhe Norman Hunter ishin gjithashtu një dyshe e klasës botërore, por ishin pjesë e ekipit që nuk arriti të kualifikohej në Botërorin e vitit 1974. Në fakt, asnjëherë nuk iu afruan lavdisë në skenën ndërkombëtare që e shijuan në vend.
Tani, një lojtar që vitin e kaluar po ndihmonte Leedsin të kthehej në Premier League dhe një 22-vjeçar tjetër i cili u refuzua nga Chelsea si një adoleshent, kanë formuar mburojën e mesfushës që ndihmoi Anglinë të mos pësojë gol në pesë ndeshjet e para të Evropianit. Në ndeshjen e gjashtë, atë gjysmëfinale kundër Danimarkës, Anglia e pësoi golin e parë në turne, dhe atë nga gjuajtja e lirë.
Declan Rice dhe Kalvin Phillips janë mesfushorët e palodhshëm të Anglisë në “Euro 2020”, të cilët po reflektojnë energji të madhe në fushë për ekipin e përzgjedhësit Gareth Southgate. Stili i lojës së tyre është i ngjashëm me atë të dyshes Nobby Stiles e Alan Ball, të cilët me fanellën e Anglisë e fituan trofeun e vetëm të madh, atë të Botërorit në vitin 1966. Të dy kanë aftësinë për të shkuar përpara dhe për të dhënë pasime në thellësi , të cilat i bëjnë për klubet e tyre, por të dy kanë treguar gjithashtu disiplinën taktike të kërkuar nga trajneri Southgate për ta mbajtur nën kontroll dhe për ta dominuar hapësirën përpara repartit të mbrojtjes.
Ata të dy kanë një oreks të madh për punë në stërvitje dhe ndjekje të kundërshtarit në fushë. Phillips e filloi turneun në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi u shpall lojtari i ndeshjes në duelin e parë kundër Kroacisë. Ndërsa Rice ishte po aq efektiv për ta ndaluar Luka Modriqin. Kundër Gjermanisë, dyshja shkatërruese e Anglisë u përball me dyshen e superyjeve, Tony Kroos dhe Leon Goretzka, dhe bëri një punë absolute ndaj gjermanëve duke mos ua lënë posedimin e topit dhe duke ndërprerë pothuajse çdo sulm që tentonin ta nisnin.
“Ne u ndeshëm me lojtarë si Kroos, Goretzka ose Ilkay Gundogan dhe njerëzit thanë që Kalvini dhe unë nuk mund të përballeshim me ta. Ne duhet ta luftonim për secilin top sikur të ishte i fundit i jetës sonë, dhe mendoj se patëm sukses”, tha Rice.
Rikuperimi i plotë i mesfushorit të preferuar të Southgatet, Jordan Henderson bëri që disa të besojnë se kapiteni i Liverpoolit do të kthehej sërish në ekipin startues duke e larguar Phillipsin. Mirëpo Southgate nuk ishte gati të ndryshonte një formulë fituese kur ishte në prag të momentit më të madh të Anglisë për më shumë se gjysmë shekulli.
“Ai është thjesht një futbollist shumë i mirë”, tha Southgate për Phillipsin. “Kalvini gjithmonë ka performancë të lartë dhe profil të ulët, gjë që më pëlqen shumë”.
Trajneri i West Hamit, David Moyes, ka thënë pothuajse të njëjtën gjë për Ricen, i cili e ka rritur dukshëm vetëbesimin qëkur i është besuar shiriti i kapitenit në klub me vetëm 21 vjet. E ky vetëbesim i madh ka bërë që Rice ta “çimentojë” vendin e titullarit tek Anglia përkrah Phillipsit. Paraqitjet e tij kanë qenë gjithnjë e më mbresëlënëse, duke pasur parasysh se ai pësoi një dëmtim të ligamentit të gjurit më 31 mars, duke e vënë në dyshim pjesëmarrjen në Evropian.
Të dy lojtarët do të duhet të bëjnë edhe një paraqitje të jashtëzakonshme, ndoshta më të mirën deri më tani në “Euro 2020” për ta mbajtur Italinë larg në finalen që do të luhet të dielën mbrëma. Dhe, nëse Rice dhe Phillips e bëjnë këtë, atëherë ata me meritë do të krahasohen me mesfushorët Ball dhe Stiles, që ndihmuan Anglinë të triumfonte në Botërorin e vitit 1966.