Euro 2020

Mehmedi i irrituar me rolin e “xhokerit” te Zvicra

Shtatë vjet më parë, Admir Mehmedi luajti në ndeshjen e gupeve kundër Ekuadorit, në Kupën e Botës të mbajtur në Brazil. Ai u inkuadrua në pjesën e dytë në vend të Valentin Stockerit. Në fitoren 2:1, Mehmedi shënoi gol pas tre minutash aktivizim.

Sulmuesi i krahut të djathtë ishte më pas në formacionin startues të ish-selektorit të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, deri në një të tetën e finales së Botërorit. Zvicra humbi nga Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi.

Mehmedi ishte lojtar i rregullt edhe në “Euro 2016”, që u organizua në Francë. Zvicra luajti nën drejtimin e Vladimir Petkoviqit. Shënoi në barazimin 1:1 ndaj Rumanisë, ndërsa shkaku i një lëndimi në momentet e fundit humbi Botërorin e vitit 2018.

Tani futbollisti që ka luajtur 75 herë për Zvicrën, po merr pjesë në një turne të madh për herë të tretë. Por për herë të parë ka vetëm rol dytësor, shkruan “Blick”.

Mehmedi në “Euro 2020” ka luajtur vetëm pesë minuta, në fitoren 3:1 kundër Turqisë. Selektori Vladimir Petkoviq e inkuadroi në vend të Breel Embolos në minutën e 85-të. Tri ditë më vonë Mehmedi flet nga kampi i Zvicrës në Romë.

“Deri më tani kam qenë i rregullt në të gjithë turnetë. Tani është pak më ndryshe. Sigurisht që shqetësohem. Unë jam pjesë e ekipit përfaqësues për dhjetë vjet dhe kjo më bën krenar. Sigurisht, fakti që nuk luaj më bën të ndihem i mërzitur. Po të isha i relaksuar tani, do të mund të kisha shkuar në pushime”, ka thënë Mehmedi.

“Në vitet 2014 dhe 2016 isha me fat se isha në gjendje të luaja. Të tjerët jo. Vetëm njëmbëdhjetë lojtarë mund të luajnë, unë i mbështes këta njëmbëdhjetë”.

Kundërshtari i dëshiruar i Mehmedit: “Qartë Gjermania. Unë jam pjesë e futbollit të Gjermanisë qe tetë vjet. Gjermanët kanë pasur një kohë të vështirë qëkur fituan kampionatin botëror në vitin 2014”, është shprehur ai.

Mehmedi 30-vjeçar është pjesë e Zvicrës prej viti 2011, ndërsa në 75 ndeshje ka shënuar dhjetë gola. Aktualisht është pjesë e Wolfsburgut në Gjermani, ndërsa ka luajtur për të rinjtë e Winterthurit, si dhe Zuerichun, Dinamo Kievin dhe Freiburgun e Bayer Leverkusenin.

Te Zvicra lojtarët kryesorë janë: Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Numri i shqiptarëve është zvogëluar tashmë, njëjtë si hapësira e Mehmedit, lojtar i Bundesligës.