Euro 2020

Rezervistët e Italisë në ankth para ballafaqimit me Uellsin

Pse të ndalen tani?

Kjo është qasja e Italisë për ndeshjen e fundit të grupit në Kampionatin Evropian kundër Uellsit. Dueli do të luhet nga ora 18:00 në “Stadio Olimpico” të Romës.

“Azurrët” kanë avancuar tashmë në raundin e 1/8 së finales, por po luajnë me kaq shumë shpirt dhe guxim sa që ka arritur në një pikë ku është bërë edhe e pashmangshme.

Edhe pse përzgjedhësi Roberto Mancini pritet t’i pushojë disa prej titullarëve nga dy ndeshjet e para – të dyja fitore me rezultatin 3:0 – rezervistët janë në ankth për ta udhëhequr lojën sulmuese të rrjedhshme të Italisë.

“Ka shumë energji dhe atmosferë të mirë brenda përfaqësueses, e trajneri i ka meritat për këtë. Ai ka sjellë me të vërtetë shumë entuziazëm”, është shprehur futbollisti i krahut Federico Chiesa, i cili pritet ta zëvendësojë Lorenzo Insignen në fazën e sulmit.

Chiesa shpeshherë ka qenë më i miri tek Italia në kualifikimet e përkryera të Italisë në Kampionatin Evropian dhe vjen pas një sezoni të mirë me Juventusin, ku i shënoi 15 gola dhe 11 asistime në të gjitha garat.

T’i quash lojtarët si Chiesa dhe Andrea Belotti “rezervistë” tingëllon paksa çuditshëm, duke marrë parasysh kontributin e tyre tek Italia përgjatë 10 fitoreve në kualifikime. Belotti nën drejtimin e Mancinit ka shënuar tetë gola, dhe mund të jetë zëvendësues i sulmuesit Ciro Immobile kundër Uellsit.

“Ne kemi 26 titullar dhe nëse thirrem për të dhënë kontributin, do ta përgatis veten”, tha Chiesa. “Secili nga ne e ka një rol në udhëheqje drejt arritjes së qëllimit. Jemi këtu për të shkuar deri në fund”.

Marco Verratti, i cili ishte titullar i rregullt para se t’i humbte dy ndeshjet hapëse të turneut për shkak të lëndimit në gju, po ashtu mund të paraqitet. Mund të jetë zëvendësues i Manuel Locatellit, që shënoi dy herë në fitoren e Italisë kundër Zvicrës.

Pasi e mposhti Turqinë në ndeshjen hapëse, Italisë tani do t’i nevojitej vetëm edhe një barazim për ta siguruar vendin e parë në Grupin A.

Uellsi, që ka katër pikë, mund ta sigurojë kalimin në fazën nokaut me barazim, apo nëse Zvicra dështon ta mposhtë Turqinë në ndeshjen tjetër të grupit.

“Pa presion. Do të dalim në fushë dhe do të kënaqemi dhe nëse mund ta dërgojmë topin te lojtarët më të mirë dhe të tjerët ta kenë një natë të mirë, atëherë kush e di? Ndoshta mund të marrim rezultat të denjë”, ka thënë para ndeshjes mbrojtësi i krahut të djathtë i Uellsit, Connor Roberts, i cili e shënoi golin e dytë në fitoren 2:0 kundër Turqisë.

Italia e njeh mirë mesfushorin e Uellsit, Aaron Ramseyn, i cili luajti te Juventusi në Serie A në dy sezonet e fundit.

“Ai është lojtar shumë inteligjent. E kam parë në stërvitje dhe në ndeshje”, ka shtuar Chiesa.

Italia i ka fituar 10 ndeshje rresht, të gjitha pa pranuar gol, dhe është në seri prej 29 takimeve pa humbje.

Është vetëm një ndeshje larg barazimit të rekordit të skuadrës, që nën drejtimin e përzgjedhësit Vittorio Pozzo, nuk kishte humbur në 30 ballafaqime. Kishte ndodhur kjo afër një shekull më parë.

Forma e “Azurrëve” është shumë impresive krahasuar me dështimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2018.