Euro 2020

Loew në paqe derisa lamtumira me Gjermaninë po afrohet

Ndërsa po përgatitet për turneun e tij të fundit pas 15 vjetësh si përzgjedhës i Përfaqësueses së Gjermanisë, Joachim Loew këmbëngul se ai sheh shenja që skuadra e tij mund të lërë pas vetes dështimet e fundit. Në një intervistë të mërkurën në bazën stërvitore të Gjermanisë në Loew balancoi besimin në punën e trajnerit që po e bën me kujdes në lidhje me detyrën me të cilën përballet ekipi i tij.

Loew udhëhoqi Gjermaninë drejt triumfit në Kampionatin Botëror “Brazili 2014”, por mbrojtja e titullit pas katër vjetësh në Rusi përfundoi me dështim të madh pasi gjermanët përfunduan të fundit në grup dhe u eliminuan në fazën e grupeve. Më vonë, atë vit, Gjermania përfundoi e fundit edhe në grupin e saj të Ligës së Kombeve. Në nëntor të vitit të shkuar Gjermania u poshtërua 6:0 nga Spanja, përsëri në Ligën e Kombeve dhe në muajin mars të këtij viti humbi me rezultatin 2:1 në shtëpi nga Maqedonia e Veriut në ndeshjen kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm. Aktualisht Gjermania ka rënë në vendin e 12-të në ranglistën e FIFA-s, kurse në Kampionatin Evropian, që nis të premten, do të ketë punë me Portugalinë dhe Francën në grup. Portugalia është kampione në fuqi e Evropës derisa Franca e botës. Ndeshjen e parë në “Euro 2020” Gjermania e luan kundër Francës (15 qershor) në Munich, kurse më 19 qershor do të përballet edhe me Portugalinë. Ndeshjen e fundit në grup Gjermania e luan më 23 qershor kundër Hungarisë.

Loewe vlerësoi Francën si “ekipi më fleksibil në botë” me “cilësi të jashtëzakonshme individuale të lojtarëve” dhe tha se “Portugalia gjithashtu ka fuqi të madhe sulmuese”. Ai pranoi se ekipin e tij e presin dy përballje tejet të vështira brenda katër ditëve.

“Nëse nuk jemi të përqendruar gjatë tërë ndeshjes, atëherë këtë do ta shfrytëzojnë si Franca ashtu edhe Portugalia për të na ndëshkuar. Duhet të jemi të fokusuar për këto dy ndeshje të forta dhe tejet të rëndësishme”, pranoi Loew.

Megjithatë Loew tha se ndien një qëndrim te Gjermania më të mirë se para katastrofës së vitit 2018.

“Humori ishte ndryshe. Ekzistonte njëfarë peshe për ekipin. Unë nuk e ndiej atë tani. Përkundrazi, gjendja shpirtërore e lojtarëve është shumë e mirë. Energjia dhe angazhimi vijnë në rend të parë. Lojtarët janë shumë ambiciozë, ata duan të jenë të suksesshëm”, zbuloi Loew.

Loew shtoi se këto janë llojet e gjërave që një trajner pritet t’i thotë para lojërave të mëdha, ndonëse dukej shumë i qetë dhe i përqendruar në punën e tij. Ai gjatë tërë kohës bënte shaka me stafin e tij dhe diskutonte me futbollistët gjatë stërvitjes.

Loew tha se po i afrohet turneut të tij të fundit me Gjermaninë pa sentimentalizëm. Ai muaj më parë bëri të ditur se do të largohet nga Gjermania pas Kampionatit Evropian.

“Çdo turne ka qenë i veçantë për mua. Unë nuk jam melankolik apo i motivuar veçanërisht për këtë turne, sepse është i fundit për mua. Tani jam plotësisht i përqendruar në turne dhe në përgatitjen e ekipit në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam duke e shijuar atë, ndiej shumë energji. Me padurim po e pres fillimin e tij”, shtoi Loew.

Për Loewin, viti 2014 ishte një pikë referimi dhe thotë se shenja të tilla po vëren edhe tani në ekip.

"Shenjat e para janë të mira edhe këtë herë. Por ne duhet ta dëshmojmë këtë në turne. Të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të komunikojnë mes vete. Ky mentalitet duhet të zhvillohet gjatë gjithë turneut, siç ishte rasti në vitin 2014”, tha Loew. “Në fillim kishte mënyra të ndryshme të të menduarit ose diskutimeve rreth sistemit të lojës, por në fund ne u pajtuam me njëri-tjetrin dhe të gjithë vërtet donim të fitonim Kupën e Botës”.

Loewe e ka ndërmend të luajë me tre mbrojtës për ndeshjet me Francën dhe Portugalinë. Sipas tij, vetëm ky sistem i lojës mund të ndalë sulmet e portugezëve dhe francezëve.

“Kompaktësia është çelësi”, tha ai. “Nëse nuk e kemi atë, ne do të kemi telashe. Dhe kjo menjëherë shkon në favor të Francës dhe Portugalisë”.

Edhe nëse nuk ka ndonjë sukses në “Euro 2020”, Loew nuk do të mërzitet. Ai thotë se tashmë ndihet krenar me punën dhe arritjet që i ka pasur te Gjermania gjatë këtyre 15 vjetëve.

“Unë kam arritur shumë tashmë. Jam në paqe me vendimin për të larguar pas Evropianit”, tha Loew, i cili shtoi se do të pushojë pak përpara se të kthehet të punojë diku tjetër si trajner.