Gjashtë muaj pasi sulmet ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit nisën një konflikt që ka tronditur tregjet e energjisë dhe ka penguar transportin global detar, ende nuk ka një fund të qartë të konfrontimit. Teksa kapacitetet ushtarake të Iranit kanë pësuar dëme të mëdha, ai ende ka ndikim në Ngushticën e Hormuzit.
Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, nga i gjithë spektri politik në Uashington, thonë se faza e ardhshme do të përcaktohet nga katër pyetje: sa gjatë mund t'i bëjë ballë Irani presionit ekonomik, a mund ta shndërrojë diplomacia avantazhin ushtarak në një marrëveshje të qëndrueshme, çfarë do të ndodhë me Hormuzin dhe nëse Rusia dhe Kina do ta ndihmojnë Teheranin të rindërtohet.
“Ofensiva ekonomike”
Zëvendësadmirali në pension Robert Harward, ish-zëvendëskomandant i Komandës Qendrore të SHBA-së, e përshkruan situatën si një “gjendje të qëndrueshme”. Por, ai argumenton se koha po mbaron për Teheranin.
“Koha është problemi i tyre më i madh”, thotë Harward për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se presioni i vazhdueshëm ekonomik përfundimisht mund të shndërrohet në një kërcënim të brendshëm për Qeverinë iraniane.
Çështjet që lidhen me nevojat bazike nxitën protestat masive në dhjetor-janar, të cilat u shtypën me forcë brutale, kur u vranë mijëra protestues.
Kështu po e paraqet tani Uashingtoni konfliktin, me sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, që më 24 gusht njoftoi atë që e quajti një “ofensivë ekonomike” masash për izolimin e mëtejmë të Iranit. Bessent do t'u bëjë presion ministrave të Financave të G20-ës për këtë çështje gjatë takimeve në Ashevill të Karolinës së Veriut, më 31 gusht dhe 1 shtator.
Harward thotë se presioni mund të shndërrohet në një kërcënim të brendshëm nëse Teherani përfundimisht has në vështirësi për të paguar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), milicinë Basij dhe institucione të tjera shtetërore, ose nëse iranianët e zakonshëm përballen me mungesa të karburantit dhe artikujve të tjerë esencialë.
Kushtet e dimrit, thotë ai, mund ta bëjnë presionin veçanërisht të rëndësishëm.
Kina është kyç në këtë llogaritje.
Elaine Dezenski, drejtuese e Qendrës për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se marrëdhënia ekonomike e Kinës me Iranin është e rëndësishme, por nuk është një aleancë në kuptimin tradicional.
Rreth 80 për qind e naftës së eksportuar nga Irani shkon në Kinë, thotë ajo, por nafta iraniane përbën vetëm rreth 12 deri në 13 për qind të importeve të naftës bruto të Kinës.
“Nëse Kina do të ndërpriste blerjet e naftës iraniane... kjo do të kishte një efekt të madh”, thotë Dezenski. Megjithatë, deri tani Pekini i ka rezistuar presionit të SHBA-së lidhur me marrëdhëniet e tij tregtare me Teheranin.
Çështja ka edhe një dimension financiar afatgjatë. Shitja e naftës iraniane në juanë dhe pagesat përmes sistemeve jashtë rrjetit të dollarit amerikan mund të forcojnë infrastrukturën alternative financiare.
“Mënyra se si Irani po i kryen këto transaksione dhe mënyra se si Kina po i mbështet këto transaksione është një përpjekje për të dëmtuar rolin e dollarit amerikan në tregun global të energjisë”, shprehet Dezenski.
A mund të rikthehet diplomacia?
Teksa mundësia për veprime të mëtejme ushtarake nuk është përjashtuar, zyrtarët kanë sugjeruar se veprimet ushtarake mund të kenë arritur kufijtë e efektivitetit të tyre - me fjalë të tjera, nuk ka shumë objektiva të tjera për t'u sulmuar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në qershor se baza industriale e mbrojtjes së Iranit kishte pësuar “shkatërrim masiv”, me dëmtime prej 80 deri në 90 për qind. Presidenti Donald Trump, fillimisht tha se 90 për qind e raketave dhe vendeve prej ku Irani lëshon raketa ishin shkatërruar, ndërsa më vonë dha një vlerësim prej 82 për qind. Por, ai ka thënë vazhdimisht se marina iraniane është shkatërruar.
Megjithatë, ajo që ka mbetur ka dëshmuar se është mjaftueshëm e qëndrueshme për të penguar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Për Bradley Bowman, drejtor në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, dallimi kryesor është mes dobësimit ushtarak dhe një rezultati politik afatgjatë.
“Amerika ka pasur vazhdimisht vështirësi në Lindjen e Mesme për ta shndërruar suksesin në fushëbetejë në rezultate politike të qëndrueshme dhe pozitive”, thotë Bowman për REL-in. “Shpesh fitojmë në fushëbetejë dhe humbim në tryezën e negociatave”.
Ai thekson se një transformim politik i qëndrueshëm në Iran do të kërkonte veprime vendimtare nga vetë iranianët. Uashingtoni, shton ai, nuk ka vullnetin politik për të dërguar “mijëra e mijëra” trupa në Iran dhe për të përballuar humbjet që do të sillte një operacion i tillë.
Bowman thotë gjithashtu se lufta ka treguar përmasat e shpenzimeve amerikane për armët dhe ka ngritur pikëpyetje lidhur me sasinë e municioneve sulmuese dhe mbrojtëse që janë në dispozicion për konflikte të tjera të mundshme,
Nga Irani dalin sinjale të përziera.
Disa elemente, përfshirë IRGC-në, duket se nuk e kanë me nguti për të shtyrë përpara bisedime para zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara që mbahen në nëntor. Anëtarë të tjerë të rëndësishëm të autoriteteve klerikale kohët e fundit kanë folur vazhdimisht për vështirësitë ekonomike dhe rëndësinë e ringjalljes së diplomacisë.
Hormuzi: Leva kryesore e Iranit
Për Gawdat Bahgat, profesor i çështjeve të sigurisë kombëtare në Qendrën për Studime Strategjike të Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, zhvillimi më i rëndësishëm i gjashtë muajve të fundit mund të jetë shfaqja e Ngushticës së Hormuzit si instrumenti kryesor që i ka mbetur Iranit për të negociuar.
“Edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje e përkohshme, ajo do të jetë e përkohshme, por në të ardhmen ata do të vazhdojnë të kërcënojnë me mbylljen e ngushticës”, shprehet ai.
Kjo rrugë ujore tradicionalisht transporton rreth një të pestën e naftës, gazit natyror të lëngshëm dhe mallrave të tjera jetike në botë. Kjo është përkthyer gjithashtu në presion ekonomik mbi Shtetet e Bashkuara, pasi tregjet globale rrisin çmimet e benzinës.
Ngushtica është vetëm rreth 39 kilometra e gjerë, në pikën e saj më të ngushtë. Si Irani, ashtu edhe Omani pretendojnë 22.2 kilometrat maksimalë të lejuar nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS) si ujëra territoriale, që do të thotë se në këtë zonë nuk ka ujëra ndërkombëtare.
UNCLOS synon të garantojë të drejtën e kalimit transit për anijet tregtare dhe ndalon bllokimin e tyre. Megjithatë, Teherani nuk e ka ratifikuar kurrë UNCLOS-in dhe thotë se nuk ka detyrime nga traktati. SHBA-ja po ashtu nuk e ka ratifikuar atë.
Bahgat thotë se shtetet e Gjirit mund të bëjnë presion për një marrëveshje që rikthen stabilitetin, edhe nëse ajo formalizon një rol të caktuar të Iranit në ngushticë. Prioriteti i tyre, thotë ai, është rikthimi i stabilitetit ekonomik.
Pyetja më e vështirë është nëse Uashingtoni mund të pranojë një formë të kontrollit iranian ose përfitimi ekonomik nga kjo rrugë ujore.
Bowman argumenton se çështja kritike është nëse kapitenët e anijeve tregtare dhe kompanitë e sigurimeve e konsiderojnë rrugën të sigurt.
Prandaj, Irani nuk ka domosdoshmërish nevojë ta mbyllë plotësisht Hormuzin. Sulmet sporadike me raketa ose dronë mund të rrisin kostot e sigurimit të anijeve dhe të frenojnë transportin detar, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës në shtetet e Gjirit Persik mund të krijojnë presion shtesë mbi vendet që bashkëpunojnë me Uashingtonin.
“Kjo në fakt i shndërron partnerët tanë arabë në instrument presioni që Irani po ushtron ndaj Uashingtonit”, thekson Bowman.
Ndihma nga Rusia dhe Kina për Iranin
Një tjetër pyetje e rëndësishme është nëse partnerët e jashtëm të Iranit mund ta ndihmojnë atë të rimëkëmbet.
Bowman përmend dërgesat kineze të lëndëve kimime dhe informacionet ruse për shënjestrimin, si dhe mbështetjen me dronë, si dëshmi të rritjes së ndihmës. Ai thotë se Moska po shqyrton mundësinë e dërgimit të aeroplanëve luftarakë Su-35 në Iran, ndërsa Pekini mund të kalojë nga furnizimi me materiale me përdorim të dyfishtë drejt dërgimit të armëve dhe municioneve.
E ardhmja e kësaj mbështetjeje, thotë ai, do të varet shumë nga mënyra se si Pekini dhe Moska e vlerësojnë reagimin e mundshëm të SHBA-së.
“Gjëja kryesore që Kina i frikësohet janë sanksionet dytësore nga SHBA-ja”, thotë Bowman.
Njoftimi i sekretarit Bessent lë të kuptohet për këto masa, por ato mbartin gjithashtu rrezikun e hakmarrjes kineze dhe nuk është e qartë se deri ku është i gatshëm Uashingtoni ta rrisë presionin e këtij lloji.
Rimëkëmbja ushtarake e Iranit nuk mund të ndahet nga rrjeti më i gjerë që e mbështet atë, thotë Bowman.
Një studim i udhëhequr nga Bowman dokumentoi 616 raste të bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut nga janari 2019 deri në dhjetor 2025, duke përfshirë fusha si zhvillimi dhe transferimi i armëve, stërvitjet ushtarake, shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës dhe diplomacia ushtarake.