Zyra e Rregullatorit për Energji ka miratuar Planin Vjetor të Energjisë për 2025 pak pa përfunduar ky vit. Ani se i miratuar me vonesë, ai ende nuk është bërë publik në faqen e këtij institucioni, duke mos pasqyruar shifrat lidhur me shpenzimet e energjisë elektrike në raport me energjinë elektrike në dispozicion. Të dhënat flasin për rënie të prodhimit vendor dhe rritje të importeve të energjisë, e të cilat pritet të reflektohen në tarifat e reja të energjisë në 2026-n.
Zyra e Rregullatorit për Energji po e mban “fshehtë” Planin vjetor të energjisë për 2025, të cilin e miratoi 13 muaj pas pranimit të kërkesës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut.
Ani se ky plan është miratuar në mbledhjen e 7 nëntorit të 2025-tës, nuk është publikuar ende në faqen e ZRRE-së.
KOHA ka kërkuar nga ky institucion arsyet e vonesës në miratim dhe mospublikimit të tij, por nuk ka marrë përgjigje që nga e hëna.
Të dhënat e bilancit vjetor, që bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për vitin 2025, nuk u bën publike as në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.
Kërkesa për aprovim të bilancit është përcjellë nga KOSTT-i më 11 tetor të 2024-tës.
“Bilanci vjetor i energjisë elektrike paraqet planin vjetor të shpenzimit të energjisë elektrike në raport me energjinë elektrike në dispozicion. Bilanci vjetor i energjisë bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për 2025, i cili është parashikuar të furnizohet nga gjenerimi vendor dhe nga importi i energjisë elektrike. Po ashtu në bilanc parashikohet edhe eksportimi i tepricave të energjisë elektrike”, thuhet në vendimin e Bordit të ZRRE-së.
Por te vendimi nuk paraqitet asnjë shifër që përmban plani.
E në draft-bilancin e energjisë për 2025 e janarit të këtij viti, prodhimi vendor i rrymës është paraparë të jetë 5 milionë e 579 mijë e 680 MWh, ndërsa importi 1 milion e 768 mijë e 58 MWh.
Te pjesa e importeve për konsumatorët e kyçur drejtpërdrejt në transmetim përmenden vetëm SharrCem, Trepça dhe Ferronikeli, por jo edhe bizneset që nga 1 qershori kanë dalë në treg të lirë.
E sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave nga janari deri në shtator të këtij viti prodhimi vendor i energjisë ishte 4 milionë e 89 mijë e 640 MWh, apo 972 mijë e 170 megavat më pak sesa në periudhën e njëjtë të 2024-tës.
Nga janari deri në shtator, sipas ASK-së, Kosova importoi energji në vlerë prej 3 milionë e 114 mijë e 25 megavatëve për orë, apo 1 milion e 11 mijë e 559 megavatë më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Pra një rritje prej 48 për qind brenda 9 muajve.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 janë importuar rreth 47 milionë euro energji më shumë sesa të hyrat maksimale të lejuara, dhe tarifat më pas në mars të 2025 u rritën për 16.1 për qind.
Të dhënat nga tremujori i fundit i këtij viti do të përcaktojnë nëse do të ketë shtrenjtim dhe sa për qind do të jetë ajo.