Mbi 300 biznese nga 15 shtete të ndryshme, po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024”, të organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës, për vitin e tretë me radhë.
Me rastin e hapjes së këtij panairi, u vu në theks rëndësia e turizmit dhe promovimit të Kosovës për rritjen sa më të madhe të numrit të vizitorëve.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, ka thënë se trendi i rritjes së numrit të vizitorëve ndërkombëtarë në Kosovë po shënon vazhdimisht rritje. Sipas tij, në muajin janar të këtij viti ka mbi 50 për qind më shumë vizitorë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Hoti ka deklaruar se edhe gjatë vitit 2023, është shënuar një rritje prej 24,8 për qind e numrit të vizitorëve nga jashtë, krahasuar me vitin 2022.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se organizimi i këtij panairi shërben si një qëllim jetik për kryeqytetin, duke vënë në qendër të vëmendjes potencialin e gjerë që e ka Kosova për zhvillimin e turizmit.
Rama ka potencuar se përmes këtij panairi mund të arrihen shumë bashkëpunime të ndërsjella të agjencive turistike në rajon.
Edhe
Hajdari: Numri i turistëve në Kosovë në 4 vjetët e fundit është rritur për 50 për qind
Ai ka deklaruar se ky organizim është një mundësi për ta transformuar kryeqytetin në një qendër dinamike për tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.
Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka deklaruar se Kosova gjatë tri vjetëve të fundit është bërë gjithnjë e më shumë vend më tërheqës për vizitorë.
Ai ka potencuar se në vitin 2023 janë shënuar 1 milionë e 500 mijë netë qëndrime nga vizitorë ndërkombëtarë.
Arifaj ka përmendur se MINT-i ka hartuar ligjin për turizmin dhe strategjinë e turizmit për vitin 2024-2030, me qëllim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në Kosovë.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Vilma Bello, ka nënvizuar se marrëdhëniet vëllazërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë jo vetëm në fushën e turizmit.
Edhe
Kërkohet themelimi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Sogojeva: Vetëm Kosova s’e ka
Ajo ka deklaruar se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe integrimin e saj.
Bello ka përgëzuar të dyja shtetet për implementimin e marrëveshjeve në fushën e turizmit.
Ky panair do jetë i hapur për qytetarët përgjatë dy ditëve. / KP