Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Saka thotë se ishte i gatshëm për të luajtur më shumë për Anglinë

angli

Bukayo Saka realizoi “hat-trick” në fitoren 6:4 të Anglisë ndaj Francës në ndeshjen për vend të tretë. Ai shkëlqeu, por gjithnjë do të jetë pyetja nëse Anglia do të luante më mirë nëse Saka do të aktivizohej ndaj Argjentinës në gjysmëfinale.

Vetë ylli i Anglisë ka thënë se ishte plotësisht gati për të luajtur rol më të madh në Kupën e Botës. Ai në gjysmëfinale nuk u aktivizua fare.

“Natyrisht, do të doja të kisha luajtur më shumë, por është shumë vonë të flasim për këtë. Mundohem të flas në fushë dhe tani ka përfunduar. Le të ecim para. Jam gati”, ka thënë Saka.

Ai është bërë vetëm anglezi i katërt që ka shënuar “hat-trick” në Botëror.

 Këtë e kishin arritur edhe Geoff Hurst në vitin 1966, Gary Liniker 20 vjet më pas dhe Harry Kane në vitin 2018.

“Ishte fantastike. Është një arritje e mahnitshme. E di se kush janë këta lojtarë që kanë shënuar ‘hat-trick’ për Anglinë. Është listë elitë në të cilën tani jam. Më bënë shumë krenar”, ka thënë Saka.