Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Merino, superheroi i Spanjës që nuk mundi të ecte për dy muaj

Mikel Merino

Mikel Merino shpresonte të hynte në lojë te Spanja më herët në ndeshjen ndaj Belgjikës, pasi e kishte shënuar golin e fitores po si zëvendësues ndaj Portugalisë. Në fakt, ai u desh të priste deri në minutën e 86-të. Nuk ka rëndësi. Edhe një tjetër hyrje e vonshme, edhe një tjetër gol vendimtar dhe Spanja fitoi ndaj Belgjikës 2:1. 

Ai është lojtari i parë në histori të Kupës së Botës që shënon gola të fitores në dy ndeshje të fazës nokaut, si zëvendësues. Merino i ka luajtur vetëm nëntë minuta në dy ndeshjet e fundit. Por i kanë mjaftuar, ka shkruar “Sky” të shtunën. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Katër ditë pasi e ndali në gjysmë ëndrrën e Cristiano Ronaldos në Kupën e Botës dhe i theu zemrat e portugezëve, Merino ishte në vendin dhe kohën e duhur, për ta shtyrë në rrjetë topin që u kthye nga portieri Senne Lammens. Kjo ndodhi vetëm pas dy minutash që Merino ishte në fushë në ndeshjen ndaj Belgjikës. 

30-vjeçari ishte titullar në vetëm një ndeshje të këtij turneu, por e ka ndihmuar Spanjën i vetëm, të avancojë në gjysmëfinale. 

Dhe kjo ndodhi nga një lojtar që ishte në dyshim për t’u paraqitur në Kupën e Botës pasi kishte frakturë në këmbë, të pësuar në janar. Merino më vonë ka bërë të ditur se nuk ka mundur të ecë për dy muaj. I duhej një skuter për të dalë jashtë. 

“I kisha dy opsione, të dorëzohesha në heshtje, apo ta mbaja kokën lartë, të isha pozitiv dhe ta përdorja kohën për t’i përmirësuar aspektet tjera”, ka thënë ai në një intervistë pas rikthimit në stërvitje në muajin maj. 

Shpejtësia e rikuperimit nga lëndimi tregon përkushtimin dhe karakterin e fortë të Merinos, që e bën kaq të rëndësishëm për trajnerë. Ai është i rëndësishëm po ashtu në mënyrën e shënimit të golave, kur ekipi ka më së shumti nevojë. 

Dhe kjo nuk është hera e parë që ai shënon për shtetin e tij. 

Në Kampionatin Evropian para dy vjetësh, goli i tij me kokë një minutë para fundit të vazhdimit të dytë, ia siguroi Spanjës finalen, ku e mposhti më pas Anglinë. 

Ai ka qenë vendimtar edhe për Arsenalin, ku nga mesfushori i qendrës, shpesh është kthyer në qendërsulmues. Tek Arsenali, Merino ishte transferuar nga Real Sociedadi në verën e vitit 2024, pas përfundimit të Evropianit. 

Ai ka realizuar gola ndaj Liverpoolit, Real Madridit, Chelseat dhe Neëcastlet. 

10 nga 11 golat në Premier League të cilat i ka shënuar Merino, e kanë barazuar rezultatin, apo i kanë dhënë “topçinjve” epërsinë. 

Kjo statistikë tregon më së miri se sa i vlefshëm ka qenë ai edhe për trajnerin e Arsenalit, Mikel Artetan, njësoj si për selektorin e Spanjës, Luis de la Fuenten. 

“I dua të gjithë lojtarët, por me Merinon kam diçka të veçantë sepse e njohim njëri-tjetrin për kohë të gjatë”, ka thënë De la Fuente më herët gjatë kësaj jave. De la Fuente ka punuar me Merinon edhe te grupmoshat e reja. 

“Ai është lojtar i klasës botërore. Dua ta nënvizoj rëndësinë e lojtarëve që vijnë nga banka rezervë. Mikel nuk dëshpëron kurrë. Ai është bast i sigurt”. 

Pasi e shënoi golin e fitores ndaj Portugalisë, ndonjë lojtar tjetër do të mund të fliste pse nuk po inkuadrohet në lojë për ndeshjen tjetër. Në minutën e 86-të, Merino ishte zëvendësuesi i pestë. 

Por, vendosmëria e Merinos për të lënë gjurmë, është parë edhe nga reagimi i tij. Ai e përcolli topin që u devijua nga portieri gabimisht, pas gjuajtjes së Pau Cubarsit. 

Spanjës do t’i duhet tjetër paraqitje e madhe ndaj Francës në gjysmëfinale. Nëse jo, e ka lojtarin që mund ta gjejë rrugën drejt portës.