Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Argjentina me rikthim mahnitës për finalen e dytë rresht

Argjentina

Foto: Associated Press

Argjentina ka arritur fitore dramatike në gjysmëfinale dhe luftoi shumë përballë Anglisë në “Atlanta Stadium”. I shënoi dy gola në pesë minutat e fundit të gjithë takimit dhe avancoi në finale të Kupës së Botës, pas fitores 2:1. 

Të dielën takohet me Spanjën në finale. Finalja zhvillohet në New Yersey nga ora 21:00. Anglia ndërkohë luan për vend të tretë ndaj Francës të shtunën nga ora 23:00. Ai ballafaqim zhvillohet në “Miami Stadium”. 

Kampionia në fuqi e botës, e cila e fitoi Botërorin e tretë në Katar para katër vjetësh, ishte fare pranë eliminimit nga Anglia. Ishte në disavantazh deri në minutat e fundit të ndeshjes, pasi Anthony Gordon realizoi në minutën e 55-të për 1:0. 

Por, siç ndodhi shpesh në këtë turne të ngjarjes globale, Argjentina u kthye dhe barazoi shifrat me Enzo Fernandezin që gjuajti fuqishëm e saktë në portën e portierit Jordan Pickford, në minutën e 85-të. 

Lionel Messi ishte asistues në golin e tij. Messi asistoi edhe në minutën e dytë të shtesës për Lautaro Martinezin, i cili vulosi fitoren e madhe të argjentinasve. 

Messi tani ka gol apo asistim në 11 ndeshje rresht të Kupës së Botës, ecuri që ka nisur prej vitit 2022. E vazhdon edhe ecurinë pa humbje që është rekord për 60 vjetët e fundit. Ai u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes nga FIFA. 

Dështimi i Anglisë do të thotë se viti 1966 ka qenë më i miri për “Tre Luanët”, kur e fituan trofeun e çmuar të Botërorit. 

Prej atij viti, Anglia nuk është kualifikuar më në finale. 

Argjentina do të ballafaqohet tani me Spanjën në New Yersey. Do të jetë hera e parë ku fituesja në fuqi e Kupës së Botës, përballet me fituesen në fuqi të Kampionatit Evropian. Do të jetë edhe hera e parë ku dy përfaqësueset më të mira në renditjen e FIFA-s, Argjentina e para dhe Spanja e dyta, do të takohen mes vete në finale. 

Argjentina është bërë përfaqësuesja e gjashtë që e fiton Kupën e Botës dhe kthehet në finale në edicionin tjetër. Këtë sukses e kishin arritur Italia (1934, 1938), Brazili (1958, 1962), Argjentina (1986, 1990), Brazili (1994, 1998) dhe Franca (2018, 2022). 

Publikohen formacionet zyrtare të gjysmëfinales Anglia – Argjentina

2 muaj më parë / 15 kor 2026 19:37
Publikohen formacionet zyrtare të gjysmëfinales Anglia – Argjentina

Janë publikuar formacionet zyrtare të gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës. 
Ka edhe befasi në formacionin e Anglisë. Morgan Rogers do të luajë si titullar. 

Ndryshime ka edhe te formacioni i Argjentinës. Titullar për herë të dytë është Giuliano Simeone. Simeone titullar ishte edhe në fitoren 3:1 ndaj Jordanisë. Në ndeshjet tjera ishte në bankën rezervë. 
Ndeshja luhet në Atlanta dhe nis në orën 21:00.

Formacioni i Anglisë: 

Pickford, Stones, Guehi, James, Spence, Rice, Anderson, Bellingham, Rogers, Kane, Gordon

Formacioni i Argjentinës: 

Martinez, Tagliafico, Martinez, Romero, Molina, Paredes, Mac Allister, Fernandez, Alvarez, Messi, Simeone.

Ndeshja më e madhe për Anglinë që prej vitit 1966

2 muaj më parë / 15 kor 2026 19:30
Anglia

Anglia sonte nga ora 21:00 do ta luajë ndeshjen më të madhe prej vitit 1966. Luan ndaj Argjentinës në gjysmëfinale të Kupës së Botës. 

Kështu ka shkruar BBC-ja të mërkurën, në prag të ndeshjes së vlefshme për vend në finale të Botërorit. 

Në gjashtë dekada, “Tre Luanët” kanë arritur dy herë deri në gjysmëfinale, në vitin 1990 dhe në Rusi para tetë vjetësh. 

Anglia i ka humbur dy finalet e fundit të Kampionatit Evropian, por në “Atlanta Stadium” e ka rastin që të arrijë në finalen e ngjarjes globale për herë të parë në 60 vjet.

Alvarezi ka statistika më të mira se Messi

2 muaj më parë / 15 kor 2026 19:30
Julian Alvarez

Julian Alvarez ka gjetur formën në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës dhe shënoi supergol për fitoren 3:1 të Argjentinës në vazhdime për të avancuar në gjysmëfinale të Botërorit. 

“Daily Mail” ka bërë shkrim të gjatë për sulmuesin e Atletico Madridit, të mërkurën, pak orë para gjysmëfinales mes Anglisë dhe Argjentinës që nis në orën 21:00. 

Ka shkruar se Alvarez ka statistika më të mira se Lionel Messi në ndeshjet e gjysmëfinaleve. 

26-vjeçari Alvarez i ka pesë gola në fazën nokaut të Kupës së Botës, sa kishte edhe Maradona, dhe dy më pak se Messi. 

Por, është më i suksesshëm se superylli argjentinas në gjysmëfinale të turneve madhore. Dy gola i realizoi në gjysmëfinalen e Botërorit 2022 ndaj Kroacisë në fitoren 3:0, një në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, një në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit dhe një tjetër në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës.