Ditët kur klubet kanë transferuar lojtarët vetëm bazuar në një performancë të mirë në Kupën e Botës kanë kaluar. Por sigurisht se një turne i madh nuk të bën dëm.
BBC-ja ka nxjerrë dhjetë lojtarët që mund t'i kenë siguruar vetes transferime në klube më të mëdha pas paraqitjeve impresive në Botërorin e sapopërfunduar në Rusi, ku Franca doli kampione.
Aleksandr Golovin (Rusi) - mesfushor
Aleksandr Golovin 22-vjeçar ka kaluar karrierën e tij deri më tash te CSKA Moska. Ai impresionoi në Kupën e Botës që u mbajt në vendin e tij në Rusi. Shënoi një gol dhe asistoi dy të tjerë në fitoren 5:0 të Rusisë në ndeshjen hapëse të Botërorit ndaj Arabisë Saudite. Ishte numri më i madh i golave në të cilët është përfshirë një lojtar rus në një ndeshje të Kupës së Botës, që kur Oleg Salenko shënoi pesë e asistoi një në fitoren 6:1 ndaj Kamerunit në Botërorin 1994. Ai nuk pati "gisht" në golat e tjerë gjatë arritjes së Rusisë në çerekfinale të Botërorit. Mirëpo, paraqitjet e tij në Botëror pritet t'i sigurojnë transferim jashtë Rusisë. Arsenali, Chelsea, Juventusi e Monaco kanë shprehur interesim për të. Madje Monaco ka bërë ofertën. Raportohet se Chelsea ka arritur marrëveshje me CSKA-në për Golovinin.
Hakim Ziyech (Maroku) - mesfushor
Mesfushori Hakim Ziyech pati paraqitje të mirë në fazën e grupeve, ndërsa Maroku ishte një prej skuadrave më të pafat në Botërorin e mbajtur në Rusi. Humbi me një gol në minutat shtesë nga Irani me shifrat 1:0, humbi me një gol të hershëm të pësuar ndaj Portugalisë 1:0 dhe iu mohua fitorja ndaj Spanjës pas një goli në minutën e 91-të që iu dha Spanjës, pas rishikimit të rastit nëpërmjet sistemit të video-xhirimit VAR.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).