Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Dhjetë ndeshjet më të pista në histori të Kupës së Botës

Përballja ndërmjet Anglisë dhe Kolumbisë në Moskë në kuadër të 1\8 së finales së botërorit, është vlerësuar dramatike për shkak të zënkave dhe ndërhyrjeve të ashpra.

Por nëse shikohen ndeshjet e tjera në histori të botërorëve, kjo mund të zërë vetëm vendin e fundit në "top-10" për nga brutaliteti, përcjell Koha Ditore shkrimin e Daily Mail.

10. Anglia - Kolumbia, 2018

Arbitri amerikan Mark Geiger dha tetë kartonë të verdhë, gjashtë prej tyre për kolumbianët, ndërsa përballja e 1/8 së finales në Moskë rrezikoi t'i dalë nga kontrolli. Wilmar Barrios ishte me fat që i shpëtoi përjashtimit pas goditjes që i dha Jordan Hendersonit dhe po ashtu pati reagime të ashpra kur Geiger akordoi penallti për Anglinë.

Radamel Falcao humbi kontrollin kur Harry Maguire nuk u ndëshkua për simulim. Po ashtu, pati tentime për të prishur rrethin e penalltisë dhe pati edhe goditje me bërryl ndaj Raheem Sterlingut nga një anëtar i stafit të trajnerëve të Kolumbisë. Anglia fitoi ndeshjen pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan 1:1.

Edhe Dalin pamje të reja të frustrimit të Bellinghamit Botërori 2026 Dalin pamje të reja të frustrimit të Bellinghamit

9. Kameruni - Argjentina, 1990

Diego Maradona dhe kampionia në fuqi, Argjentina u shokua në nismë të Botërorit 1990 në Itali nga Kameruni relativisht i panjohur. Lojtarët e Kamerunit përdorën forcën dhe mendjen për të siguruar fitoren e madhe.

Ata shkaktuan 30 faulla, krahasuar me nëntë të Argjentinës dhe një e treta e tyre ishin ndaj Maradonës. Dy lojtarë të Kamerunit, Andre Biyik dhe Benjamin Massing u përjashtuan, por mundi ia vlejti. Kameruni fitoi.

8. Portugalia - Brazili, 1966

Legjenda Pele ishte shënjestruar qëllimisht, ndërsa kampioni në fuqi Brazili u eliminua nga Kupa e Botës "Anglia 1966" nga Portugalia. Pele sapo ishte kthyer nga lëndimi. Joao Pinto vendosi të testonte gjurin e dobësuar të Peles dhe jo vetëm që e goditi atë në ajër fillimisht, por e goditi edhe kur ai u mundua të ngrihej. Pele mezi ecte në pjesën e mbetur të ndeshjes dhe Portugalia fitoi 3:1 për të siguruar që Brazili të mos kalojë në fazën nokaut.

7. Skocia - Uruguai, 1986

Uruguait i duhej një barazim për të dalë nga faza e grupeve në dëm të Skocisë dhe e arriti këtë me gjithë përjashtimin e Jose Batistas pas 56 sekondave pas një ndërhyrjeje që shtriu përtokë Gordon Strachanin. Jug-amerikanët bënë çfarë ishte e nevojshme për të nxjerrë barazim pa gola, duke bërë faulla të vazhdueshëm taktik.

Trajneri i zemëruar i Skocisë, Alex Ferguson, u ankua më pas: "Ata nuk kanë respekt për dinjitetin e njerëzve". Lojtarët e Skocisë akuzuan ata të Uruguait se i shkelën në kyçe të këmbëve, duke u shtirur se po i ndihmonin të ngriheshin pas ndërhyrjeve.

6. Portugalia - Holanda, 2006

Ishte vlerësuar si festë e futbollit mes gjeneratës së artë të Portugalisë, të përbërë nga Luis Figo e Cristiano Ronaldo dhe Holandës së shkëlqyeshme. Por u kthye në një farsë me një numër rekord të kartonëve të verdhë e të kuq. Referi rus Valentin Ivanov ndau katër kartonë të kuq dhe 16 të verdhë. Portugalia fitoi 1:0 për të siguruar çerekfinalen.

5. Gjermania P. - Holanda, 1990

Përballja e 1/8 e finales e Botërorit 1990 ndërmjet rivalëve të përbetuar ishte vlerësuar finale dhe ndeshjes së pakëndshme iu vu kapaku kur Frank Rijkaard pështyu Rudi Vollerin e Gjermanisë, pasi mori karton të verdhë për ndërhyrje të palejueshme.

Edhe Momentet më të mira nga Kupa e Botës Botërori 2026 Momentet më të mira nga Kupa e Botës

Voller dhe Rijkaard u ndeshën sërish, pasi gjermani rrëzoi portierin holandez Hans van Breukelen. Rijkaard e shkeli atë në shenjë hakmarrjeje.

Rijkaard dhe Voller u ndëshkuan me të kuq. Gjermania shkoi tutje.

4. Italia - Argjentina, 1982

"Nëse e ndal Diego Maradonën e ndal Argjentinën". Kjo ishte taktika italiane, ku mbrojtësi i ashpër Claudio Gentile u zgjodh si shef-shkatërrues. Gentile shkaktoi 23 faulla vetëm në Maradonën dhe u konsiderua me fat që qëndroi në fushë pasi u ndëshkua vetëm pas faullit të 42-të. Kartoni i tij ishte i pesti në ndeshje.

Ironikisht, ishte Argjentina ajo që vuajti përjashtimin e vetëm. Americo Gallego u përjashtua për një shtyrje të qëllimshme. Italia fitoi 2:1 dhe në fund fitoi titullin.

3. Anglia - Argjentina, 1966

Seleksionuesi i Argjentinës, Alf Ramsey, i quajti argjentinasit kafshë pas ndeshjes çerekfinale të Kupës së Botës të vitit 1966 në "Wembley". Në atë ndeshje kapiteni i Argjentinës, Antonio Rattin, refuzoi të largohej nga fusha pas ndëshkimit me të kuq.

Argjentina u akuzua nga nikoqirja e Botërorit, Anglia për pisllëqe, përfshirë pështymje dhe kapje për vesh të lojtarëve të Anglisë kur referi nuk po shikonte. Rattin u përjashtua pasi nuk ndalte së fyeri referët. Ramsey ua ndaloi lojtarëve të tij të shkëmbejnë fanellat me argjentinasit pas fitores 1:0 të Anglisë. "Kishte shumë trazira në tunel pas ndeshjes", tregoi më vonë mbrojtësi George Cohen.

2. Spanja - Holanda, 2010

Referi anglez Howard Webb shpërndau numër rekord të kartonëve për një finale të Kupës së Botës, kur më 2010 u ndeshen Spanja dhe Holanda - gjithsej 14. Ai ndëshkoi me të kuq holandezin Johnny Heitinga, por prapë u kritikua se ishte tepër i butë.

Legjenda holandeze, Johan Cruyff, akuzoi bashkëkombësit e tij për anti-futboll dhe pati gëzim te tifozët neutralë kur Spanja fitoi 1:0 pas lojës shtesë me gol të Andres Iniestas. Ishte njëlloj drejtësie për agresivitetin e holandezëve.

1. Italia - Kili, 1962

Edhe Gola, teknologji dhe pushime për freskim: Si do ta kujtojmë Kupën e Botës Botërori 2026 Gola, teknologji dhe pushime për freskim: Si do ta kujtojmë Kupën e Botës

E quajtur "Beteja e Santiagos", prezantuesi televiziv David Coleman i ka prezantuar xhirimet e ndeshjes duke e quajtur atë "më të çmendurën, më të neveritshmen dhe më të turpshmen në histori të futbollit". Pas faullit të parë brenda 12 sekondave lojë, lojtarët kilianë nisën të pështyjnë kundërshtarët dhe përleshjet nisën në gjithë fushën.

Befasia më e madhe ishte se referi anglez Ken Aston përjashtoi vetëm dy lojtarë, të dy italianë. Kiliani Sanches shpëtoi ndonëse ia theu hundën një kundërshtari me grusht. Pas asaj ndeshjeje, e ardhmja e Kupës së Botës u vë në dyshim. Kili fitoi 2:0 ndeshjen në Botërorin që u mbajt në vendin e vet.