Zvicra thotë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për Ukrainën, tani për tani.
Ministrat e qeverisë zvicerane janë takuar të mërkurën dhe dënuan njohjen nga Rusia të Donetskut dhe Luhanskut si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, e po ashtu premtuan se do të sigurohen që Zvicra të mos përdoret si një platformë për të kapërcyer sanksionet e BE-së.
Por ata nuk shpallën sanksionet e tyre.
Rusia është një partner i rëndësishëm biznesi për Zvicrën. Konsorciumi Nord Stream që ndërton tubacionet e gazit nga Rusia në Evropë e ka selinë e tij në qytetin zviceran të Zug. Aty ka një zyrë edhe kompania ruse Gazprom, e cila do të mbushë tubacionet.
Në përgjigje të aneksimit të Krimesë në vitin 2014, reagimi i Zvicrës ishte i njëjtë, pa sanksione.
Mirëpo pritet që presioni nga Brukseli mund ta bëjë këtë vend neutral të ndryshojë mendje.