Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zija e madhe e bukës – njerëzit po hanë insekte

Ani pse Madagaskari shpesh përjeton thatësi dhe përballet me stuhi të fuqishme të shkaktuara nga El Nino, ekspertët besojnë se ndryshimet klimatike janë të lidhura direkt me krizën e tanishme të ushqimit. KB-ja ka vlerësuar se 30 mijë njerëz kanë përjetuar krizën më të madhe të ushqimit që ka arritur në nivelin e pestë, më i larti në botë. Ka shqetësime se numri mund të ngrihet edhe më shumë kur Madagaskari të nisë sezonin dobët para të korrave

Madagaskari është afër që të bëhet shteti i parë i botës që kaplohet nga uria e shkaktuar nga ndryshimi klimatik, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara. Organizata ka tërhequr vërejtjen se mijëra njerëz veçse janë duke vuajtur nga nivelet katastrofike të urisë dhe pasigurisë ushqimore pas katër vjetësh thatësie dhe pa asnjë pikë shiu.

Thatësia – më e rënda në katër dekadat e fundit - ka shkatërruar komunitetet në jug të shtetit, duke detyruar mijëra familje që të hanë insekte për të mbijetuar.

“Këto janë kushte të urisë dhe janë shkaktuar nga klima, jo nga konfliktet”, ka thënë Shelley Thakral nga Programi për Ushqim i Kombeve të Bashkuara.

KB-ja ka vlerësuar se 30 mijë njerëz kanë përjetuar krizën më të madhe të ushqimit që ka arritur në nivelin e pestë, më i larti në botë. Ka shqetësime se numri mund të ngrihet edhe më shumë kur Madagaskari nis sezonin e dobët para të korrave.

“Kjo është e paprecedent. Këta njerëz nuk kanë bërë asgjë për të kontribuar në ndryshimet klimatike. Nuk përdorin karburante dhe po përballen me pasojat e ndryshimit klimatik”, ka thënë Takral.

Në fshatin e largët Fandiova, familjet i kanë treguar WFP-së se çfarë kanë ngrënë në muajt e fundit.

“I pastroj insektet siç duhet, por nuk mundem tamam, sepse nuk ka ujë”, ka thënë Tamaria, nënë e katër fëmijëve.

“Së bashku me fëmijët çdo ditë kemi ngrënë insekte në tetë muajt e fundit sepse nuk kemi çfarë tjetër dhe pa shi nuk kemi të mbjella”, ka shtuar ajo.

“Sot nuk kemi asgjë tjetër për të ngrënë përveç gjetheve të kaktusit”, ka thënë Bole, nënë e tre fëmijëve teksa qëndronte e ulur në tokën e thatë.

Së fundmi bashkëshorti i ka vdekur nga uria, ashtu siç ka ndodhur me fqinjin. Vdekja e dy burrave e ka detyruar që të ushqejë edhe dy fëmijë të tjetër.

“Çfarë të them? Jetën e kemi të varur prej gjetheve të kaktusit, kështu duhet të mbijetojmë”, ka thënë ajo.

Ani pse Madagaskari shpesh përjeton thatësi dhe përballet me stuhi të fuqishme të shkaktuar nga El Nino, ekspertët besojnë se ndryshimet klimatike janë të lidhura direkt me krizën e tanishme të ushqimit.

“Në raportet e fundit kemi parë se në Madagaskar ka një ngritje të madhe të thatësisë. Kjo thatësi presim që të vazhdojë edhe më tej”, ka thënë Rondro Barimalala, shkencëtar në Madagaskar që punon në Universitetin e Cape Town në Afrikën e Jugut.

Duke analizuar të dhënat e njëjta atmosferike në Universitetin e Santa Barbaras në Kaliforni, drejtori i Climate Hazards Center, Chris Fund, ka konfirmuar lidhjen me ngrohjen në atmosferë. Ka shtuar se autoritetet në Madagaskar duhet të punojnë më shumë në përmirësimin e menaxhimit të ujit.

“Mendojmë se mund të bëhet shumë punë në një periudhë të shkurtër. Shpesh mund të parashikojmë se kur mund të ketë shira mbi normalen dhe bujqit mund ta përdorin atë informacion për të shtuar prodhimtarinë. Nuk jemi të pafuqishëm përball ndryshimit klimatik”, ka shtuar ai.

Ndikimi i tanishëm i thatësisë është ndier në qytetet kryesore të Madagaskarit. Krejt rrugët janë të mbushura me fëmijë që kërkojnë ushqim.

“Çmimet në treg janë ngritur për tre apo katër fish. Njerëzit po shesin tokat për të blerë ushqim”, ka thënë Tisna Endor nga Tolanaro.

Kolegu i saj, Lomba Hasoavana, ka thënë se shpesh ka fjetur nëpër fusha me qëllim që të ruajë të mbjellat nga njerëzit, mirëpo kjo tani është bërë gjë e rrezikshme.

“Rrezikoni jetën. Është shumë e vështirë, sepse më duhet të mendoj për të ushqyer veten dhe familjen”, ka thënë ai. “çdo gjë është e paparashikueshme për motin. Është një pikëpyetje e madhe se çfarë do të ndodhë nesër”.

Artikuj të ngjashëm