Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje shteteve perëndimore që Rusinë ta njohin zyrtarisht si shtet terrorist, raportoi BBC-ja të enjten.
Ai tha se krimet që u kryen ndaj civilëve në Vinnytsia të enjten, dëshmojnë se Rusia është shtet terrorist.
“Kjo ditë dëshmoi edhe një herë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si një shtet terrorist. Asnjë shtet tjetër në botë nuk paraqet një kërcënim të tillë terrorist si Rusia. Asnjë shtet tjetër në botë nuk i lejon vetes të shkatërrojë qytete paqësore dhe jetën e zakonshme njerëzore me raketa e artileri çdo ditë”, tha Zelensky.
Sipas Zelenskyt, në qendrën mjekësore Neuromed të Vinnytsias ku sulmuan forcat ruse, u vranë dhjetëra persona, e disa ende mbetën nën rrënoja.
“Nëse dikush do të lëshonte një sulm me raketa në një qendër mjekësore në Dallas apo Dresden, si do të quhej? A nuk është terrorizëm?”, tha ai.
Zelensky shtoi se në mesin e të vdekurve është një vajzë katërvjeçare, Lisa, që u vra nga Rusia pikërisht në kohën kur në Holandë po zhvillohej një konferencë për krimet ruse të luftës.