Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’i adresohet të enjten parlamentit të 17-të me radhë të huaj, në një përpjekje të tij për të kërkuar mbështetje për Ukrainën, pas nisjes së pushtimit të saj nga Rusia më 24 shkurt.
I përshkruar të enjten nga kryeministri i Australisë, Scott Morrison si “luan i demokracisë”, Zelensky u është adresuar po ashtu tri institucioneve multilaterale: Këshillit Evropian, G7-s dhe NATO-s, ndërkaq në fund të javës së kaluar, ai ka pasur një paraqitje virtuale edhe në Forumin Doha që është mbajtur në Dubai, raporton CNN.
Zelensky ka bërë paraqitjen e parë virtuale para Parlamentit Evropian më 1 mars, ndërkohë që pritet t’i adresohet të enjten parlamenteve të Australisë, Holandës dhe Belgjikës.
Adresimi i tij i dytë që nga fillimi i pushtimit të shtetit të tij, ishte bërë për Parlamentin britanik, më 8 mars.
Presidenti ukrainas që nga atëherë u është adresuar edhe shumë parlamenteve të tjera duke përfshirë ato të shteteve si: Polonia, Kanadaja, SHBA-ja, Gjermania, Zvicra, Izraeli, Italia, Franca, Japonia, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia.
Vendet perëndimore deri tani i kanë ofruar vazhdimisht mbështetje Zelenskyt dhe luftës së Ukrainës për ta mbrojtur shtetin e saj, derisa kanë vendosur edhe një varg sanksionesh ndaj Rusisë dhe individëve të caktuar rusë të lidhur me pushtetin atje.