Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vetëm Rusia mund ta përdorë armën bërthamore pasi “është burimi i gjithçkaje të keqe”.
Siç raportoi BBC-ja të dielën, Zelensky tha se kudo që Rusia “lëviz”, lë pas vrasje e shkatërrime.
“Rusia kudo qe shkon, lë pas vdekje dhe rrënoja, varre masive, kampe torture, qytete dhe fshatra të shkatërruara, toka të minuara, infrastrukturë të shkatërruar dhe fatkeqësi natyrore. Dhe nëse dikush mund të përdorë armë bërthamore në pjesën tonë të Evropës, atëherë është vetëm një subjekt”, tha tutje ai.
Zelensky i reagoi edhe ministrit rus të mbrojtjes, Serhiy Shoigu, që të dielën iu telefonoi ministrave të mbrojtjes të Francës, Turqisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, duke akuzuar Ukrainën se po përgatitet “për një bombë të pistë”.
“Sot, kur ministri rus i thërret ministrat e jashtëm me rrëfimin për të ashtuquajturën bombë bërthamore të pistë, të gjithë e kuptojnë mirë gjithçka. Ata e kuptojnë se kush është burimi i gjithçkaje të pistë që mund të imagjinohet në këtë luftë”, u shpreh Zelensky.
Ai i bëri thirrje shteteve perëndimore që të reagojnë ndaj “një tjetër hapi përshkallëzues” të Rusisë në frontet e luftës.
“Bota duhet të shohë tani, në mënyrë parandaluese dhe para çdo ‘pisllëku’ të ri të Rusisë”.
Ndërsa, agjencia shtetërore ruse “RIA Novosti”, shkroi të dielën se Ukraina po planifikon “ta shpërthejë një bombë të pistë” në territorin e saj.
Mediumi iu referua “burimeve të ndryshme”, pa asnjë konfirmim. Raportimeve iu kundërvu ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, i cili tha se janë gënjeshtra absurde dhe të rrezikshme.